Bllokimi i kufirit në Bërnjak, Sveçla: Para syve të policisë së Serbisë po ndodhin akte fashiste

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar pas mbylljes për qarkullim të pikëkalimit kufitar me Serbinë, në Bërnjak, duke fajësuar policinë e Serbisë.

“Pas paralajmërimit të grupeve ekstremiste serbe për protesta sot pas orës 18:00, janë vërejtur grupe ekstremistësh të maskuar të cilët në prani të policisë së Serbisë, brenda territorit të Serbisë, kanë ndaluar veturat dhe legjitimuar udhëtarët”, ka shkruar ai në Facebook, më 06.09.2024.

Sipas tij, një familjeje e cila po udhëtonte për në Gjermani, i është pamundësuar vazhdimi i udhëtimit dhe është kthyer prapa me forcë.

“Kjo po ndodhë para syve të policisë së Serbisë, fakt ky që e bën atë bashkë fajtore. Këto akte fashiste ku serbët lejohen pavarësisht dokumentacioneve që posedojnë kurse shqiptarët pengohen pavarësisht dokumentacioneve që posedojnë, janë absolutisht të papranueshme për ne.  Prandaj, deri në stabilizimin e qarkullimit normal, të pa pengueshëm dhe të sigurtë për të gjithë udhëtarët, pika kufitare në Bërnjak mbyllet për qarkullim”- ka shkruar Sveçla.

Vendkalimet Bërnjak, Jarinjë, Merdarë nga ana e Serbisë qendrore dhe vendkalimi Kullë në rrugën Pejë-Rozhajë nga ana e Malit të Zi – janë pikat për të cilat është njoftuar se do të bllokohen nga grupe të qytetarëve serbë.

Kjo protestë është thirrur tash e disa ditë përmes rrjetit social “Telegram.” Aty është bërë thirrje vazhdimisht për pjesëmarrje në këto protesta për të bllokuar pikat kufitare nga Serbia me Kosovën.

Kërkesa e tyre është që institucionet që janë mbyllur në Kosovë si të dyshuara për punë si struktura paralele serbe t’u rikthehen qytetarëve serbë, por edhe objekte të tjera që janë mbyllur tashmë e që kanë funksionuar si posta apo banka serbe. Ekipi i KALLXO.com është duke qëndruar në pikën kufitare në Jarinjë dhe atë në Bërnjak, për të vrojtuar situatën në të dy këto pika kufitare.