Bllokimi i fluturimeve në Rinas! Krijohet kaos, qytetarja: Kam që mëngjesin e djeshëm këtu

Bllokimi i fluturimeve në aeroportin e Rinasit ka sjellë kaos.

Ka qytetarë që presin që nga dita e djeshme për të udhëtuar përmes Rinasit në fluturimet që ishin planifikuar.

Aeroporti i Rinasit është mbushur me qytetarë të indinjuar, një pjesë prej tyre që presin që nga dita e djeshme, të tjerë me fëmijë të mitur, të cilët duhet të udhëtojnë drejt vendeve të tjera të Evropës.

Qytetarët që duhet të udhëtojnë drejt Gjermanisë kanë shpenzuar edhe për kuponin, i cili u ka skaduar për shkak të vlefshmërisë vetëm 24 orë.

Grumbullimi i tyre përbën edhe një problem tjetër, atë të rrezikut të infektimit nga COVID-19 .

“Sapo erdhëm por po thonë që duhet të presim, duhet të udhëtoj në Milano Bregamo, më thanë që të presim, erdhëm për një rast vdekjeje por do të kthehemi, të shohim. Nuk e dimë, të shohim pa asnjë përgjigje tamam”, tha qytetari.

“Kemi 6 orë që presim, që në orën 6 të mëngjesit, në Dortmund, testi na ka skaduar,  këta nuk japin asnjë shpjegim, prisni 5 orë thonë, e kishim udhëtimin urgjent, erdhëm për 2 javë”, tha një qytetar, i cili po priste bashkë me bashkëshorten e fëmijën e vogël.

“Kam që dje në mëngjes, do udhëtoja drejt Bergamos, më thonë prisni se do t’ju informojmë”, tha një qytetare që po pret bashkë me djalin e mitur.

”Kam 2 orë, do të udhëtoj drejt Piza-s, e kisha parë në TV, s’kemi çfarë bëjmë po presim”, tha qytetari.

“Tani erdhëm, e kishte djali në orën 6 e i thanë që do të niset në orën 12 e çerek, kanë bërë shumë gabim se njerëzit kanë halle kanë probleme, ka edhe persona me problem shëndeti”, tha një qytetar tjetër. top-channel