Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Blinken uron shqiptarët në Ditën e Pavarësisë

Sekretari i Shtetit Anthony Blinken uroi sot (e dielë) në emër të Shteteve të Bashkuara popullin e Shqipërisë me rastin e 109-vjetorit të Pavarësisë së vendit.

Zoti Blinken kujton rrënjët e thella të miqësisë mes dy vendeve që datojnë më shumë se një shekull më parë, që nga koha kur Presidenti Woodrow Wilson mbrojti me forcë pavarësinë e Shqipërisë, në Konferencën e Paqes në Paris të vitit 1919.

Që nga ajo kohë, thuhet në mesazhin e zotit Blinken, shqiptarët kanë demonstruar forcë e qëndrueshmëri të madhe, duke u çliruar nga shtypja prej diktaturës komuniste e duke ndërtuar një demokraci të përkushtuar ndaj tolerancës, të drejtave të njeriut dhe integrimit evropian.

Si dëshmi të kësaj qasjeje zoti Blinken përmend vendimin e Shqipërisë për t’i hapur dyert afganëve në nevojë.

“Shqiptarët vazhdojnë të ofrojnë një strehë të sigurt, sikurse bënë për mijëra hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore e grupe të tjera që largoheshin nga persekutimi gjatë dekadave të fundit”, thuhet në mesazhin e sekretarit të Shtetit.

Për zotin Blinken 30 vjetori i rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA-së këtë vit, është një rast për të reflektuar mbi gjithçka që amerikanët dhe shqiptarët kanë arritur së bashku që nga viti 1991.

“Sot ne jemi aleatë në NATO dhe vitin e ardhshëm do të shërbejmë së bashku në Këshillin e Sigurimit të OKB-së”, shkruante ai.

Mesazhin e tij të urimit zoti Blinken e përfundonte duke shprehur përkushtimin e Shtetet e Bashkuara për të mbështetur institucionet demokratike të Shqipërisë, reformat në drejtësi dhe ato ekonomike, si dhe të ardhmen e vendit drejt Bashkimit Evropian./VOA