Arkiv - Foto: Antony Blinken, Twitter

Blinken: SHBA mbeshtet integrimin euroatlantik të Kosovës dhe dialogun Kosovë-Serbi

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka reaguar pas takimit të djeshem me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti në Uashington D.C.

Blinken ka thënë se SHBA e mbështesin dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE-ja.

Po ashtu, ai ka ritheksuar se vlersojnë mikpritjen e Kosovës për afganët.

“U takuam sot me presidentin Osmani dhe kryeministrin Kurti. Shtetet e Bashkuara mbështesin integrimin euroatlantik dhe ndërkombëtar të Kosovës dhe dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE. Ne vlerësojmë mikpritjen e Kosovës për afganët dhe mbështetjen e saj të fortë për Ukrainën”, ka shkruar Blinken në Tëitter.

Sekretari amerikan të Shtetit, Antony Blinken është takuar dje me Osmanin dhe Kurtin.

Blinken dje gjatë takimit ka thënë se SHBA-ja dhe Kosova janë duke punuar së bashku për të përcaktuar disa çështje të rëndësishme për të dyja vendet.

Blinken ka ritheksuar mbështetjen e Kosovës për Ukrainën.

“Jemi duke punuar së bashku për të përcaktuar disa çështje të rëndësishme për SHBA-në dhe shtetin tuaj. Ju falënderoj që keni pritur afganët, kemi parë mbështetje që nga dita e parë për Ukrainën, keni punuar edhe në aspekte tjera dhe president e çmoj lidershipin tuaj në këtë”, ka thënë Blinken.

Ndërsa, Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, dje në një konferëncë për media pas takimit kanë thënë se me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken kanë diskutuar edhe për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe për dialogun Kosovë-Serbi.

Presidentja Osmani ka thënë se njëjtë si presidenti Biden edhe Blinken kanë qenë të qartë se procesi i dialogut përqendrohet në njohje reciproke.

“Kemi diskutar për atë se sa e domosdoshme është që Kosova të jetë në NATO së bashku me partnerët tjerë dhe aleatët tjerë. Kemi diskutuar për rolin konstruktiv që Kosova po luan në dialogun Kosovë-Serbi dhe SHBA-në si partner gjithnjë kanë qenë të zëshëm ne ketë drejtim se si Biden edhe Blinken kanë qenë të qartë se procesi i dialogut përqendrohet në njohje reciproke”, ka thënë ajo.

Ndërsa, kryeministri Albin Kurti ka thënë se në takim kanë diskutuar edhe se si të rritet bashkëpunimi tregtar Kosovë-SHBA.

“Përfituam nga rasti që nga Blinken të kërkojmë shtimin e investimeve amerikane dhe ta rrisim shkëmbimin tregtar. Edhe në NATO ne e kemi bashkëpunimin me SHBA-në dhe synojmë që siguria e Kosovës ta ketë për partner të padiskutueshëm SHBA-në”, ka thënë ai.

Lidhur me ketë takim, sot ka reaguar Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier.

Hovenier ka thënë se kjo vizitë është një tjetër reflektim i partneritetit të qëndrueshëm ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës.

“Dje, Sekretari Blinken takoi presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurtin për të diskutuar fushat kryesore të bashkëpunimit tonë të ngushtë. Vizita është një tjetër reflektim i partneritetit të qëndrueshëm ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës”, ka shkruar Hovenier në Twitter.

Sot krerët e shtetit do të marrin pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të Marrëveshjes së Programit Kompakt me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit -MMC.