Antony Blinken - Foto: VOA/Reuters

Blinken sërish me thirrje për Kosovën dhe Serbinë për shtensionim të situatës në veri

Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken ka përsëritur kërkesën e tij për Kosovën dhe Serbinë, që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të shtensionuar situatën në veri.

Blinken tha se palët duhet të rinisin përpjekjet për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit të marrëdhënieve udhëhequr nga Bashkimi Evropian.

“Shumë aleatë shprehin shqetësimin për rritjen e tensioneve në veriun e Kosovës dhe i dënon ashpër sulmet e fundit ndaj KFOR-it dhe sot i kemi në mendje kolegët tanë italianë dhe hungarezë që u lënduan në atë sulm. I ftojmë Qeverinë e Kosovës dhe të Serbisë të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të shtensionuar situatën dhe të rinisin përpjekjet për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit të udhëhequr nga BE-ja” – tha Blinken para gazetarëve në Oslo të Norvegjisë.

“Ne e përkrahim procesin e integrimit euro-atlantik të Kosovës dhe Serbisë, por eskalimi aktual e pengon dhe nuk i ndihmon lëvizjet në atë drejtim”- theksoi sekretari amerikan.

 

Serbët në veri të Kosovës do të vazhdojnë protestën e tyre për të pestën ditë më radhë. Protestat po mbahen në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq. Serbët kanë paralajmëruar se protesta në këto komuna fillon nga ora 7:00 e mëngjesit.

Gjatë mërkurës pati disa sulme ndaj gazetarëve dhe veturave të mediave të cilat janë dëmtuar nga persona të dyshuar.

Policia njoftoi se një polic është lënduar nga sulmet që i janë bërë veturave zyrtare të Policisë.

Kurse gjatë përleshjeve midis protestuesve serbë dhe trupave të KFOR-it, janë plagosur 30 ushtarë ndërkombëtarë, tre prej të cilëve kanë marrë plagë nga armët e zjarrit, konfirmoi misioni i KFOR-it të martën. Për këto sulme, policia kishte arrestuar pesë persona të dyshuar.

Në lidhje me këtë gjykata e Prishtinës ia ka caktuar masën e paraburgimit për 30 ditë dy serbëve të arrestuar të hënën në Zveçan, të cilët dyshohet se u shkaktuan lëndime pjesëtarëve të KFOR dhe Policisë së Kosovës.

Sipas dosjes së Prokurorisë të siguruar nga KALLXO.com, ekziston dyshimi se të akuzuarit së bashkë me disa të dyshuar të tjerë nga nacionaliteti serb kanë ushtruar dhunë të pakontrolluar me mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara dhe me armë zjarri nga të cilat janë lënduar së paku 30 pjesëtarë të KFOR-it.

Kryeministri i vendit Albin Kurti e ka ripërsëritur se për sa kohë do ketë persona të dhunshëm para objekteve të komunave, policia do vazhdojë të qëndrojë atje.

Në anën tjetër Sekretari i Shtetit Amerikan, Antony Blinken ka kërkuar nga qeveria e Kosovës që t`i zhvendos zyret e kryetarëve dhe po ashtu ta tërheqë policinë nga objektet komunale.

Kurse Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, të martën e ka konfirmuar zyrtarisht se Kosova është përjashtuar nga ushtrimi “Defender Europe ’23” si masë sanksionuese pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit.

Hovenier ka mbajtur konferencë për shtyp me disa media në Kosovë duke deklaruar që ka kërkuar urgjentisht nga kryeministri Albin Kurtit që të tërheq Policinë e Kosovës komplet prej tri ndërtesave të komunale në veri të vendit, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.

Ambasadori theksoi që në mungesë të reagimit nga Qeveria e Kosovës në këtë kërkesë të SHBA-së dhe në mungesë të çfarëdo shenje se qeveria po punon në shtendosjen e situatës në veri, SHBA ka vendosur ta përjashtojë Kosovën nga ushtrimi i NATO-së “Defender Europe ’23”.

Po ashtu, “do të ndalim gjitha përpjekjet për të ndihmuar Kosovën në njohje me shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën dhe në procesin e integrimit në organizata ndërkombëtare”.

Katër komunat e veriut të Kosovës që nga e premtja e javës së kaluar janë në një gjendje të tensionuar të sigurisë. Serbë lokalë po kundërshtojnë vendosjen e kryetarëve të zgjedhur në objektet komunale, nga komuniteti shqiptarë.