Antony Blinken - Foto: VOA/Reuters

Blinken në letrën drejtuar Vuçiqit: Kosova dhe Serbia do të bëjnë kompromise të vështira

“Kosova dhe Serbia do të bëjnë kompromise të vështira për të arritur normalizimin e raporteve në mes dy vendeve dhe për të arritur siguri e prosperitet për qytetarët”, kështu ka deklaruar sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken në letrën që i ka dërguar presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq për të uruar Serbinë në ditën e shtetësisë.

Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, në nder të Ditës së Shtetësisë së Serbisë, i ka dërguar një letër urimi presidentit, Aleksandër Vuçiq.

Në këtë letër të publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, (DASh), Blinken i ka përmendur Vuçiqit edhe raportet me Kosovën.

Ai ka thënë se Kosova dhe Serbia do të bëjnë kompromise të vështira për të arritur normalizimin e raporteve në mes dy vendeve dhe për të arritur siguri e prosperitet për qytetarët.

“Jam i bindur se normalizimi i raporteve në mes të Serbisë dhe Kosovës do të sjellë siguri dhe prosperitet për Serbinë dhe të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor. Sigurisht, liderët e Serbisë dhe të Kosovës do të bëjnë kompromise të vështira për t’i arritur këto qëllime, por shpërblimet për popullin serb – dhe për tërë rajonin – do të jenë të mëdha” ka thënë Blinken.

Tutje, Blinken ka kërkuar nga Serbia që të mbështesë Ukrainën në luftën kundër Rusisë.

“Gjithashtu i bëj thirrje Serbisë që të mbështesë Ukrainën kundër luftës së paprovokuar, të pajustifikuar dhe brutale të Rusisë. Shtetet e Bashkuara mirëpritën mesazhet e Serbisë për mbështetjen e Ukrainës në Kombet e Bashkuara – dhe ne duhet të jemi të bashkuar në mbështetjen e të drejtës së popullit ukrainas për të zgjedhur të ardhmen e tyre”, ka vijuar ai.

Në këtë letër është theksuar edhe mbështetja e ShBA-së ndaj Serbisë.

“ShBA-ja është mbështetëse e fuqishme në ambiciet e Serbisë për në Bashkimin Evropian. Jemi të përkushtuar të punojmë me ju dhe partnerët tanë të BE-së drejt këtij qëllimi të rëndësishëm. Mirëprita angazhimin konstruktiv të Serbisë me zyrtarët e SHBA-së, BE-së, Francës, Gjermanisë dhe Italisë në vizitën e fundit në Beograd”./Dukagjini