Blinken: Lufta në Kosovë ishte një përballje mes vrasjeve barbare dhe forcës së nevojshme

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka thënë se luftë na Kosovë ka qenë përballje mes vrasjeve barbare dhe forcës së nevojshme.

Blinken në adresimin e tij në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë ka përmendur ish-sekretaren Madeleine Albright duke thënë se krenaria më e madhe për karrierën e saj ishte Kosova.

“Lufta në Kosovë ishte një përballje mes vrasjeve barbare dhe forcës së nevojshme, ndërmjet mostolerancës së dhunshme dhe respektimit të të drejtave të njeriut, mes tiranisë dhe demokracisë. Ne fituam sepse aleanca jonë ishte e bashkuar dhe e fortë. Më e rëndësishmja, ne ia dolëm sepse kauza jonë ishte e drejtë dhe për shkak të popullit të Kosovës”, tha ai duke cituar një fjalim të Albright në Kosovë.

Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, organizohet  nga Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, mbështetur nga EULEX-it.

Në kuadër do të zhvillohen 16 panele, në të cilat do të diskutohet çështje të ndryshme që lidhen me ndryshimin e arkitekturës së sigurisë, përfaqësimin e grave, të rinjtë dhe përballje e tyre me të kaluarën, rolin e parlamenteve, drejtësinë tranzicionale, rolin e medias dhe të shoqërisë civile, dhunën ndaj grave, ndryshimet klimatike dhe fuqizimi ekonomik i grave, gratë në sektorin e sigurisë dhe atë të teknologjisë informative etj.