Ilustrim. Fotografia: Faqja zyrtare e Starbucks në Facebook

Bli diçka ose ik - u drejtohet Starbucks myshterinjve

Starbucks ka bërë të ditur se po i ndryshon krejtësisht rregullat për kafenetë e veta në Amerikën Veriore, që lejonin njerëzit të përdornin hapësirat e tyre edhe nëse nuk porosisnin asgjë – raporton të martën, më 14.01.2025, televizioni britanik BBC.

Ndryshimet, që pritet të fuqizohen prej 27 janarit, janë një ndryshim radikal prej politikës së paraqitur gjashtë vjet më parë, sipas së cilës njerëzve u lejohej që të qëndronin në hapësirat e Starbucksit dhe të përdornin toaletet e tyre – pa blerë asnjë produkt.

Lëvizja është konsideruar pjesë e strategjisë së “kthimit të Starbucks” – një plan i bërë i ditur prej Shefit të ri të firmës, derisa po mundohet t’ia presë udhën rënieve të shitjeve.

Zinxhiri më i madh i kafes në botë bën të ditur se kodi i ri i sjelljes – që adreson edhe ngacmimet dhe ndalon duhanin e alkoolin edhe në hapësira të hapura – synon t’i bëjë dyqanet më mikpritëse.

Një zëdhënës i Starbucks i ka thënë BBC-së se ky ishte një hap praktik, që e ndihmon kompaninë që t’i kenë prioritet myshterinjtë që ulen dhe paguajnë për shërbimet e ofruara. Ai ka thënë se kjo po bëhet në kuadër të një game më të gjerë ndryshimesh, për të avancuar përvojën e pirjes së kafesë në Starbucks.

Kompania ka bërë të ditur se rregullat e reja do të shfaqen në çdo dyqan dhe stafi do të instruktohet që t’u kërkojë njerëzve të cilët shkelin rregullat të largohen nga kafenetë. Kjo u hap rrugë punëtorëve që nëse është e nevojshme edhe të kërkojnë ndihmën e Policisë.

 

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com