Blerta Deliu pret debat në PDK nëse duhet të hyjë në Qeverinë Hoti

Anëtarja e Kryesisë së PDK-së, njëherësh deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e kësaj partie, Blerta Deliu-Kodra ka deklaruar se deri më tash nuk është diskutuar asnjëherë në organet e partisë ideja e përfshirjes në Qeverinë aktuale.

Deliu në një prononcim për KALLXO.com, ka thënë se mosdiskutimi i kësaj teme nga organet e partisë, tregon se PDK mbetet në qëndrimin e saj fillestar të të qëndruarit në opozitë.

“Nëse duhet PDK të bëhet ose jo pjesë e Qeverisë i takon një debati të analizuar dhe peshuar mirë brenda organeve të partisë”, thotë ajo.

“PDK do të jetë përgjegjëse ndaj zhvillimeve dhe proceseve dhe do të veprojë në interesin më të mirë publik dhe nacional, siç e ka dëshmuar gjithnjë deri më tash”, shtoi deputetja.

Mundësia e përfshirjes së PDK-së në koalicionin aktual qeverisës me kryeministër Avdullah Hotin e LDK-së, është bërë temë diskutimi gjatë javëve të fundit në Kosovë.

Situata e krijuar me pandeminë, telashet e shpërfaqura në publik të LDK-së me partnerin qeverisës, AAK-në e Ramush Haradinajt për dialogun me Serbinë dhe jo vetëm, e sidomos situata e krijuar pas publikimit të aktakuzës së pakonfirmuar ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit nga Prokuroria e Specializuar në Hagë, kanë nxitur deklarimet e një përfshirje të mundshme të partisë së Kadri Veselit ne ekzekutiv.

Kurse, zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi ka thënë për KALLXO.com se përfshirja e këtij subjekti politik në qeveri nuk është diskutuar në organet drejtuese të partisë.

Ai ka shtuar se këto deklarime janë vetëm dëshira të partive në pushtet.

“Përgjgjja ime zyrtare është që në asnjë nivel, prej kryetarit të partisë deri të Këshilli drejtues ndërmjet tyre dhe te kryesia nuk është diskutuar kjo çështje. Këto janë veç dëshira të shprehura nga partitë që janë në pushtet”, u shpreh Bytyçi.

E anëtari i Kryesisë së PDK-së, Xhavit Haliti ka thënë për KALLXO.com se PDK-ja duhet të përfshihet në një koalicion të gjerë politik.

Sipas tij, për t’u përballur me të gjitha këto probleme, Kosova duhet të ketë një koalicion të madh me politikanë e ekspertë të mirë.

“Unë besoj në fuqinë e PDK dhe ekspertët e politikanët e sajë dhe duke u bashkuar (sipas një marrëveshje) së pari me LDK e edhe me partitë tjera për të qeverisur vendin duke u përballur me çështjet që duhet t’i zgjidhim. Prandaj edhe po kërkoj që të lihen interesat personale për interesin e vendit dhe të të gjithë qytetarëve”, thuhet mes tjerash në përgjigjen e tij.

“Matje pulsi” për përfshirjen e PDK-së në Qeverinë Hoti