
Policia e Kosoves, Ilustrim
Blerja e pizhameve dhe çorapeve për policët e Kosovës dështoi edhe në ritenderim
Pizhame dhe çorape për policët e Kosovës duket se ende nuk janë siguruar në këtë kohë të ftohtë dimri, edhe pse aktiviteti i prokurimit për këtë qëllim u ritenderua.
Më datën 07.11.2024 në platformën elektronike për prokurim publik E-prokurimi, Policia e Kosovës si autoritet kontraktues publikoi njoftimin për Kontratë për Furnizim me pizhame dhe çorape për policët e Kosovës. Për këtë qëllim ishte parashikuar të nënshkruhej Kontratë, në vlerë deri në 333 mijë euro.
Nëpërmjet këtij aktiviteti të prokurimit ishte planifikuar të bliheshin gjithsej 2,400 palë pizhame dimri për meshkuj, 39 mijë palë çorapë, si dhe 17,200 palë të tjera pizhame dimri për meshkuj dhe femra.
Për këtë tender u përdor procedura e hapur e prokurimit, me kriter për dhënie të Kontratës – çmimi më i ulët.
Bazuar në rëndësinë e këtij furnizimi, Policia e Kosovës si autoritet kontraktues shkurtoi afatin për pranimin e tenderëve.
“Ky aktivitet është ritenderim dhe përmban furnizimin me artikuj, të cilët janë të nevojshëm për sezonin e dimrit për stafin policor (pizhame dhe çorape). Pasi që, edhe afati i parashikuar i liferimit është i gjatë, njësia kërkuese – Drejtoria e Logjistikës ka kërkuar të ritenderohet me afat të shkurtuar për arsye të rëndësisë së furnizimit.” – thuhet në arsyetimin e Policisë së Kosovës.
Ky aktivitet i prokurimit nuk arriti të finalizohet me Kontratë, mungesa e ofertës së përgjegjshme doli të jetë arsyeja e anulimit të këtij tenderi.