Blerim Vela

Blerim Vela: Serbia instrumentalizoi katër kryetarë komunash për të dhënë dorëheqje nëntorin e kaluar

Shefi i kabinetit të presidentes Vjosa Osmani, Blerim Vela, ka thënë se zgjedhjet në katër komuna në veri të Kosovës do të mbahen pasi, sipas tij, Serbia instrumentalizoi katër kryetarë komunash dhe zyrtarë të tjerë për të dhënë dorëheqje nëntorin e kaluar.

Teksa ka publikuar reagimin e ambasadave të QUINT-it, të cilat shprehën keqardhje për vendimin e Listës Serbe që të mos marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme, Vela thotë se zgjedhjet do të zhvillohen në përputhje me ligjet e Kosovës.

“Zgjedhjet në katër komuna në veri të Kosovës do të mbahen pasi Serbia instrumentalizoi katër kryetarë komunash dhe zyrtarë të tjerë për të dhënë dorëheqje nëntorin e kaluar. Zgjedhjet do të zhvillohen në përputhje me ligjet e Kosovës. Qytetarët në këto komuna meritojnë të kenë përfaqësuesit e tyre të zgjedhur”- ka shkruar Vela.

Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë shprehur keqardhje për vendimin e Listës Serbe që të mos marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale që do të mbahen për kryetarë të katër komunave në veri të Kosovës, më 23 prill.

Për dallim nga hera e kaluar kur patën bërë thirrje për shtyrje zgjedhjesh, ambasadat e QUINT-it tani kanë pranuar se zgjedhjet do të mbahen.

Zgjedhjet janë caktuar të mbahen më 23 prill, pas shtyrjes së tyre në dhjetor të vitit të kaluar, me kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare.

Lista Serbe ka rikonfirmuar më 20 mars se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje dhe do ta mbajë këtë qëndrim derisa t’i përmbushen dy kërkesa: formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe tërheqja e të gjitha njësiteve speciale të Policisë së Kosovës nga veriu i Kosovës.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale do të organizohen në katër komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – pas dorëheqjeve të kryetarëve të tyre, në nëntor të vitit të kaluar.

Dorëheqjet e tyre, si dhe dorëheqjet kolektive të serbëve nga institucionet e Kosovës, kanë qenë shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa serbe në RKS – Republika e Kosovës.

Prej vitit 2013, kur është formuar kjo parti, ajo ka marrë mbi 90 për qind të votave nga komuniteti serb në pothuajse të gjitha zgjedhjet e Kosovës.

Mirëpo, misioni vëzhgues i BE-së rregullisht përmend nëpër raporte se, Lista Serbe e ka “monopolizuar jetën politike në mesin e serbëve të Kosovës”.