Blerim Syla: Vaksinimi në Kukës shkoi shumë mirë, nesër radha e grupit tjetër

Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, ka thënë se vaksinimi i mjekëve kosovarë në Kukës ka shkuar shumë mirë.

Në një përgjigje për KALLXO.com, ai ka bërë të ditur se organizimi nga ana e Shqipërisë ka qenë fantastik, procesi ka shkuar shumë shpejtë, si dhe nuk ka pasur asnjë komplikim.

Syla, ka bërë të ditur se edhe nesër do të shkojë një kontingjent tjetër, por që numri ende nuk dihet.

Ai ka treguar se nëse Kosova vazhdon të mos ta ketë të siguruar vaksinën, nga Shqipëria u janë premtuar 10 mijë të tilla.

“Nesër do të shkojë kontingjenti tjetër, nuk e di sa është numri. Për fillim e kemi premtimin për 500 doza, mirëpo normalisht ne dëshirojmë që Kosova vet ta sigurojë vaksinën, por nëse jo, menjëherë kontingjenti i ardhshëm prej 500 mijë dozave që do ta sigurojë Shqipëria, ne do t’i kemi 10 mijë”, ka thënë Syla.

Sipas tij, janë rreth 11 mijë matelbardhë që punojnë në Kosovë, ndërsa përfshirë edhe administratën janë rreth 14 mijë persona.

Ai ka thënë se personalisht për të, vaksinimi në Kukës nuk ka qenë ‘inferioritet’, pasi tha se është njëjtë.

“Për mua realisht, Kukësi është edhe i Kosovës edhe i Shqipërisë. Nuk kam pas ndonjë ndjenjë të inferioritetit, për mua është njëjtë. Me rëndësi që kemi filluar edhe t’u tregojmë fqinjëve që edhe ne e kemi dikë, në këtë rast kryeministrin Edi Rama, i cili përveç gjest human, ka bërë edhe gjest patriotik”, ka thënë Syla, për KALLXO.com.