Blerim Syla: Nëse nuk ka rritje të pagave do të kalojmë në masa radikale

Federata Sindikale e Shëndetësisë së Kosovës ka mbajtur një konferencë për media pas vendimit të sotëm të Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e Ligjit për Paga.

Kryetari i Federatës, Blerim Syla, tha se ky është një vendim dëshpërues, që ka demotivuar skajshmërisht punëtorët shëndetësorë dhe për këtë arsye i janë adresuar kryeministrit.

“ I jemi adresuar menjëherë kryeministrit të vendit që me e sqaru situatën, sepse punëtori shëndetësor është në situatën më të rëndë dhe më të vështirë ekonomike, jo vetëm gjatë pandemisë por me vite i anashkaluar”, deklaroi Syla para gazetarëve.

Ai tha se nëse nuk ka reflektim dhe rritje të pagave do të merren masa.

“Për mua është ligj anti-shtetëror. Nuk kemi kohë të presim, kërkojmë rritje të pagave, nëse nuk do të ketë rritje të pagave, atëherë do të kalojmë në masa radikale”, tha Syla.

Sipas tij, kërkesa është decidive, që të rriten pagat për sektorin shëndetësor, pa u pritur ligji, ndërsa po ashtu tha se është koha e fundit që sponsorisuesit e ligjit të deklarohen se çka po ndodh.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës sot ka shfuqizuar Ligjin për Pagat.

Sipas Gjykatës, Ligji për Pagat në Sektorin Publik, në tërësinë e tij, nuk është në përputhshmëri me Kushtetutën.

Prandaj e ka shpallur të pavlefshëm atë dhe ka shfuqizuar vendimin për caktim të masës së përkohshme të 12 dhjetorit 2019, si dhe vendimin për vazhdim të masës së përkohshme të 30 marsit 2020.