Blerim Rexha tregon planet e tij nëse zgjidhet rektor

Kandidati për rektor të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Blerim Rexha, në një bisedë për KALLXO.com, ka treguar për synimet e tij nëse zgjidhet si i pari i UP-së.

Rexha ka bërë të ditur se dëshira dhe mundësia për të kontribuar në mirëqenien e Universitetit të Prishtinës dhe shoqërisë, ka qenë arsye për t’i hyrë kësaj gare.

“Unë pres mbështetje nga ana e Këshillit Drejtues në lidhje me zgjidhjen time si rektor”, ka theksuar ai.

Ai ka thënë se programin e tij 4-vjeçar do ta prezantojë para Këshillit Drejtues dhe në të flitet për ndryshimet dhe përmirësimet që do t’i ndërmarrë në Universitet.

“Universiteti i Prishtinës duhet ta ruajë pozitën udhëheqëse që e ka në hapësirën mbarëshqiptare të arsimit të lartë. Programi im bazohet në pesë shtylla: (1) Studentët dhe mësimdhënia, (2) Transparenca, (3) Sigurimi i cilësisë, (4) Digjitalizimi i krejt shërbimeve, dhe (5) Hulumtimi dhe bashkëpunimi ndërkombëtar”, ka thënë Rexha për KALLXO.com

I pyetur nëse do të hapë drejtime të reja të studimeve në UP, Rexha ka theksuar se këtë e ka paraparë në programin e tij.

“Këtë kërkesë e kam shtjelluar në programin tim, tek shtylla e tretë, dhe programet e reja do të hapen pas një bashkëpunimi me industrinë dhe të marrin “Certifikatën e cilësisë” nga Këshilli Industrial i fushës përkatëse”, ka deklaruar ai.

Rexha në bisedën për KALLXO.com ka folur edhe për qasjen e tij karshi avancimeve të personelit akademik të UP-së.

“Transparenca dhe “Rregullorja për vlerësimin e performancës së stafit akademik”- që do ta nxjerrim pas një debati gjithëpërfshirës në nivel të universitetit për vendosjen e kritereve të qarta të performancës – ashtu siç kërkohet edhe nga Agjencia e Akreditimit”, ka treguar ai në fund.

Biografia e Rexhës

Blerim Rexha është udhëheqës i departamentit te inxhinierisë kompjuterike dhe profesor i asocuar në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike të Universitetit të Prishtinës.

Studimet e doktoratës ai i ka përfunduar në Institutin e Teknologjisë Kompjuterike në Universitetin Teknik të Vjenës në vitin 2004. Ndërsa studimet themelore i ka përfunduar në Fakultetin e Elektroteknikes me notë mesatare 9.6 nga 10 në vitin 1994.

Nga janari 2007, Rexha ka dhënë kontributin e tij profesional në Kabinetin për Qeverisje të Mirë të PDK-së, si shef i Departamentit të Telekomunikacionit dhe Transportit.

Në nëntor të 2007-ës, ai ishte emëruar zëvendës Ministër i Energjisë dhe Minierave, ndërsa në shkurt të vitit 2013 Kuvendi i Republikës se Kosovës emëroi Kryetar të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).

Konkursi për rektor

Universiteti i Prishtinës, “Hasan Prishtina” ka hapur konkursin për rektor të këtij Universiteti. Konkursi ishte hapur më 10 korrik dhe ishte mbyllur më 24 korrik.

Për këtë pozitë kishin kandiduar pesë persona, por vetëm tre prej tyre janë dërguar në Këshill Drejtues nga komisioni profesional, i formuar nga senati.

Ky komision i cili ishte në përbërje me kryetar Qerkin Berisha, Kurtesh Sherifi, Liridon Veliu, Qefsere Gjonbalaj dhe Gent Sallauka, ka eliminuar nga gara njërin nga kandidatët më të përfolur për këtë pozitë, Zenun Halili.

Në bazë të vendimit të komisionit profesional, për këtë pozitë janë propozuar Blerim Rexha, Faton Berisha dhe Naser Sahiti. Ky komisioni ka larguar nga kandidatura Isuf Musliun dhe Zenun Halilin.

Kurse, në bazë të dinamikës së zgjedhjeve të UP-së, dje ishte dashur të bëhej intervistimi i kandidatëve për këtë pozitë, por KD nuk e ka bërë një gjë të tillë dhe nuk ka dhënë sqarime në lidhje me këtë çështje.