Burimi i FOTOS - Blerim Reka FCB

Blerim Reka: Nuk ka liberalizim pa trajtimin e rasteve të korrupsionit tek figurat zyrtare

 

Ministri i integrimit Evropian, Blerim Reka sot për herë të parë prezantoi programin e tij qeverisës para komisionit për Integrime Evropiane.

Reka tha se gjatë mandatit të tij do qeverisë duke u bazuar mbi parimin e llogaridhënies, gjithashtu kërkoi edhe bashkëpunimin e shoqërisë civile sepse sipas tij ky proces është shumë i varur prej saj, madje edhe duke u bazuar në përvojat e shteteve tjera.

“Procesi i integrimit është shumë i varur edhe nga shoqëria civile sepse përvojat e  mëparshme kanë dëshmuar në suksesin e këtij procesi. Do mundohem që gjatë mandatit të bëjë atë që ka munguar, qeveria dhe ministrat do japin llogari, jam i gatshëm të paraqes atë që jam i obliguar me kushtetutë”, tha Reka.

Reka tutje foli edhe për gjendjen në të cilën e kishte gjetur këtë ministri kur kishte marrë detyrën, duke thënë se programi qeverisës nuk ishte zbatuar si duhet dhe se populli nuk duhet të çuditet për ngecjen në procesin e liberalizmit të vizave ngaqë rastet e profileve zyrtare me aktakuzë nuk janë trajtuar sipas kritereve të BE-së.

“Në aspektin përmbajtjesor mund të them me keqardhje se gjeta një situatë të pa lavdërueshme, me marrjen e detyrës vetëm 50% ishte zbatuar nga programi, më pak se 30% është zbatuar IPA 1, e do duhej të përfundonte në vitin 2017. Prej  61 rasteve të profilit të lartë të korrupsionit nuk është përfunduar asnjë, atëherë mos të habitemi pse po ngec ky proces”, shtoi Reka.

Ministri Reka përmendi edhe tre prej prioriteteve gjatë mandatit të tij qeverisës, të cilat i renditi nga afat shkurtër deri tek ajo e më gjatë, duke u rikthyer tek kushti i BE-së për trajtimin e rasteve të korrupsionit për profilet zyrtare.

“Liberalizmi sa më i shpejtë i vizave për qytetarët do jetë prioriteti jonë i parë, nuk do premtojë data por angazhim që të bëhet sa më shpejt. Nuk kam dhënë kurrë data siç kanë deklaruar disa media. Ka shpresa që ky proces të përmbyllet deri në fund të vitit. Gjithashtu  do ta ritheksojë kushtin e vetëm, nga 10 takimet me emisarë dhe 20 ambasadorë të BE-së, porosia është e qartë të jepen prova për këto raste korrupsioni, kanë mbetur 2-3 shtete që nuk binden deri në trajtimin e  këtyre rasteve gjyqësore”, u shpreh ministri Reka.