Blerim Reka: Dialogu i ri të mos përsërisë gabimet e dialogut të Brukselit

Në video-takimin që u organizua nga Instituti i të drejtave të njeriut të Universitetit të Kolumbisë dhe Qendrës për Siguri të Euvropës Juglindore, ministri i Kosovës për Integrim Europian, Blerim Reka, u shpreh se dialogu i ri nuk duhet të përsërisë gabimet e atij në Bruksel.

“Nëse duhet të rifillojmë një dialog me Serbinë nuk duhet të përsërisim gabimin më të madh të dialogut të Brukselit të tetë viteve të fundit që unë i quaj negociata asimetrike mes dy palëve të pabarabarta”, u shpreh ministri Reka.

Tutje, Reka foli edhe për të kaluarën dhe ambiciet e Kosovës në të ardhmen.

“Do të doja që e ardhmja e Kosovës t’i ngjajë asaj të ShBA-së, me një demokraci të fortë liberale. Shtetet e Bashkuara kanë lindur nga një revolucion anti-kolonial siç bëri edhe Kosova”, tha ai.

“Gjatë regjimit kolonial Kosova ra nën aparteidin e Millosheviqit në fund të shekullit 20, prandaj Kosova nuk kishte zgjidhje tjetër pos një lufte për çlirim e përkrahur nga ShBA, NATO dhe fuqitë perëndimore”, theksoi ministri Blerim Reka.

Ministri Reka u shpreh edhe për ata që thonë se pavarësia e Kosovës nuk ishte akt legjitim dhe se ajo që ai do për Kosovën është një shtet liberal dhe qeveri llogaridhënëse me antarësim në organizma ndërkombëtarë.

“Unë mendoj se pavarësia e Kosovës ishte legjitime përkundër disa zërave të intelektualëve nëpër botë që thonë se nuk ishte e tillë, kjo sepse vullneti absolut i qytetarëve ishte lirimi nga qeverisja koloniale. Ky ishte edhe mendimi i GjND-së. Kosova është krijuar pikërisht mbi vlerat e Bashkimit Europian dhe ShBA-së“, shtoi ai.

Ministri Blerim Reka për të ardhmen e Kosovës tha se nuk do asgjë më shumë sesa një shtet liberal dhe demokratik, një republikë të bazuar në rend dhe ligj si dhe vend me kufijë kushtetues dhe një qeveri llogaridhënëse.

“Integrimi euroatlanik mbetet ambicia jonë për të ardhmen që është edhe vullneti politik i popullit të Kosovë me një aleancë strategjike me ShBA-në, anëtarësim në NATO dhe BE”, përfundoi ministri Reka.