Blerim Kuçi. Foto: Fatrion Ibrahimi/KALLXO.com

Blerim Kuçi tregon se çka përfshin marrëveshja mes Telekomit dhe Z-Mobile

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, në emisionin “Jeta në Komunë” është deklaruar për krizën në Telekom dhe marrëveshjen mes kompanisë “Dardafone.net” dhe ndërmarrjes publike.

Krahas kësaj, Kuçi u shpreh se Telekomi obligohet që t’i paguajë tarifën rreth 600 mijë euro në muaj për 24 muajt e ardhshëm kompanisë Dardafone.net.

Ministri bëri të ditur se Kosova ende i paguan 2 milionë euro në vit Monakos për kodin shtetëror +377.

“Dardanafone dhe Telekom kanë bërë marrëveshje për amortizimin e obligimeve në raport me Dardafon për 24 muaj të ardhshme. Që i bie rreth 600-700 mijë euro në muaj. Telekomi në këtë kuptim, kemi biseduar gjatë edhe kemi kërku zotimin në planin e biznesit, në raport me uljen e shpenzimeve, uljen e pagave dhe planin e biznesit për 3 vite të ardhshme. Ne si qeveri do ta përkrahim por jo në paga, por në projekte për investimet kapitale. Një prej investimeve ka të bëjnë me kodin shtetëror, sepse i rëndësisë së veçantë, sepse përmes këtij investimi Telekomi kursen 2 milionë euro në vit. Ende jemi duke i dhanë Monakos sepse ende nuk e kemi implementu tërësisht. Implementimi i këtë projekti procesi i pajisjeve dhe shërbimeve të tjera dhe bashkë më dhomave të përgjimeve 4.2 milionë euro”, ka deklaruar ministri Kuçi.

Për nxjerrjen nga kriza të Telekomit, Kuçi deklaroi se përveç uljes së pagave të punëtorëve është në plan edhe strukturimi i kompanisë që përfshin uljen e numrit të punëtorëve dhe riaftësimin e stafit.

“Kemi hyrë edhe në ristrukturim komplet, jemi pajtuar me sindikatën që strukturimi do të jetë i dhimbshëm por duhet me ndodhë. Nuk mundem me dhanë detaje njëherë, por përfshinë riaftësimin e stafit dhe jo marrjen e stafit të ri po ata që janë mbrenda me u riaftësu. Se duhet me përmend edhe faktin se ka pasë punëtorë që nuk kanë shku fare në punë. Punëtorë janë lajmëru aq rrallë saqë s’ka as kuptim… Telekomi për herë të parë ka performu pozitivisht, janë ulë rrogat, janë ulë shpenzimet. Ata kanë arrit gradualisht që deri në fund të viti 35 për qind vetëm në ulje janë ulë”, u shpreh ai.

Telekomit të Kosovës i ishin bllokuar llogaritë me datën 15 korrik, pasi  Gjykata e Prishtinës ia kishte njohur të drejtën kompanisë “Dardafone.net” për realizimin e borxhit milionësh duke e refuzuar prapësimin (kundërshtimin) e parashtruar nga Telekomi i Kosovës.

“Dardafon.net LLC” ka operuar me emrin tregtare “Z-Mobile” si operator virtual i telefonisë mobile dhe 90% të aksioneve të kompanisë janë të Blerim Devollit.

Gjykata vendos në favor të Z-Mobile, lejon përmbarimin milionësh ndaj Telekomit