Seanca e Kuvendit më 4 qershor 2020, FOTO: Kuvendi i Kosovës

Blerim Kuçi nesër në interpelancë për dhënien e lejes për prodhimin e energjisë me dy hidrocentrale

Kuvendi i Kosovës nesër do të mbajë seancë plenare me gjithsej 17 pika të rendit të ditës, nga ora 10:00.

Në këtë seancë, ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi do të mbajë interpelancë në lidhje me dhënien e licencave afatgjate (40 vjet) për prodhimin e energjisë elektrike ndërmarrjes “KELKOS ENERGY” sh.p.k për HC “Deçani” dhe HC “Belaja”.

Sipas njoftimit, po ashtu do të shqyrtohen statuti i disa Universiteteve të Kosovës.

Gjithashtu, do të bëhet emërimi i Kryesuesit dhe anëtarëve të Komisionit të Auditimit të NP KOSTT, zgjedhja e Kryesuesit të Komisionit Shqyrtues në Autoritetin Rregullator për Shërbimet e Ujit, dhe zgjedhja e dy (2) anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radhët e komuniteteve jo shumicë.

Ky është rendi i ditës:

  1. Deklarimet jashtë rendit të ditës,
  2. Pyetjet parlamentare,
  3. Interpelanca me ministrin e Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, sipas kërkesës së deputetes Mimoza Kusari-Lila, e nënshkruar edhe nga nëntë (9) deputetë tjerë, në lidhje me dhënien e licencave afatgjate (40vjet) për prodhimin e energjisë elektrike ndërmarrjes “KELKOS ENERGY” sh.p.k për HC “Deçani” dhe HC “Belaja”,
  4. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 07/L-046 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-015 për letërnjoftim,
  5. Shqyrtimi i Statutit të Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj,
  6. Shqyrtimi i Statutit të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë,
  7. Shqyrtimi i Statutit të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë,
  8. Shqyrtimi i Statutit të Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan,
  9. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Zyrës së Rregullatorit për Energji, për vitin 2019,
  10. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Autoritetit Rregullator të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, për vitin 2019,
  11. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Ndërmarrjes Publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut, për vitin 2018,
  12. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Ndërmarrjes Publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut, për vitin 2019,
  13. Shqyrtimi i Raportit për gjendjen e mjedisit në Kosovë 2018 – 2019,
  14. Debat parlamentar për luftimin dhe parandalimin e dhunës në familje me rastin e fushatës senzibilizuese në kuadër të 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës në baza gjinore, sipas kërkesës së deputeteve Vlora Limani Hajnuni dhe Lirije Kajtazi, të mbështetura nga 8 deputetë tjerë,
  15. Emërimi i Kryesuesit dhe anëtarëve të Komisionit të Auditimit të NP KOSTT,
  16. Zgjedhja e Kryesuesit të Komisionit Shqyrtues në Autoritetin Rregullator për Shërbimet e Ujit,
  17. Zgjedhja e dy (2) anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radhët e komuniteteve jo shumicë.