Prokuroria e Shtetit, Foto: KALLXO.com

Blerim Isufaj renditet i pari në garën për kryeprokuror të shtetit

Pas përfundimit të intervistës së kandidatëve për kryeprokuror të shtetit, kryeprokuror i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj është renditur i pari pas kalkulimit të pikëve.

Kështu ka njoftuar Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK).

Sipas njoftimit të KPK-së pas Isufaj, i dyti është renditur Shqipdon Fazliu, i treti Kujtim Munishi, i katërti Armend Hamiti dhe i pesti Lulzim Sulejmani.

Në bazë të rregullores për emërimin e kryeprokurorit të shtetit, pas votimit dhe shpalljes së rezultateve, atëherë votimi për emërimin e kryeprokurorit të shtetit duhet të aprovohet në mbledhjen e Këshillit Prokurorial.

Në rastet kur një kandidat merr më së shumti vota, duke kaluar me vota të përgjithshme, mbi 3% kandidatin e dytë, atëherë emri i këtij kandidati shkon për votim dhe aprovim në këshill.

Në rast se kandidati nuk merr votat e shumicës së të pranishmëve të anëtarëve të KPK-së, atëherë rishpallet konkursi.

Kurse në rastet kur diferenca në mes të kandidatit të parë dhe të dytë është deri në 3%, atëherë emrat e dy kandidatëve shkojnë për votim në këshill.

Votimi i anëtarëve të KPK-së është i fshehtë.

Në rast se asnjëri nga kandidatët nuk e merr shumicën e votave, atëherë votimi përsëritet. Nëse edhe pas përsëritjes asnjëri nga kandidatët nuk merr shumicën e votave, atëherë konkursi rishpallet.

Kandidati që merr shumicën e votave dërgohet te Presidenti i vendit për emërim.

Në garën për kryeprokuror të shtetit ishin : Armend Hamiti, prokuror në Prokurorinë e Prishtinës, Blerim Isufaj, ,kryeprokuror i Prokurorisë Speciale, Kujtim Munishi, kryeprokuror i Prokurorisë së Prishtinës, Lulzim Sulejmani, prokuror në zyrën e kryeprokurorit të shtetit si dhe Shqipdon Fazliu prokuror në zyrën e kryeprokurorit të shtetit.

Komisioni vlerësues në procesin e intervistimit ka qenë në përbërje të: Jetish Maloku, kryesues, me anëtarët e komisionit prokurorët, Arjana Shajkovci, Bedrie Syla-Alshiqi, Armend Zenelaj dhe Jovo Radoviq.

Ndryshe nga herë të tjera, intervistat për kryeprokuror të shtetit janë zhvilluar nën praninë e kamerës, çdo intervistë e secilit kandidatë është xhiruar dhe do të transmetohet në Radiotelevizionin e Kosovës.

Përfundon intervistimi i kandidatëve për kryeprokuror të shtetit