Blerim Dina: OShP ka trajtuar mbi 550 ankesa në vitin 2017-të

Është miratuar raporti vjetor i Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik për vitin 2017.

Blerim Dina, kryetar i OSHP, para anëtarëve të Komisionit për Buxhet dhe Financa, tha se raporti është një ndër format ku pasqyrohet veprimtaria e organit shqyrtues.

“Organi Shqyrtues i Prokurimit si sfidë ka mungesën e stafit. Kemi bërë kërkesë në komisionin e juaj për rritje të stafit. Për 2017-ën OShP ka pranuar 553 ankesa. Mbi 200 raste janë në rishqyrtim, pasi kemi gjet shkelje që janë bërë”, ka deklaruar Dina.

Emine Fazliu, nga Zyra Kombëtare e Auditimit, tha se buxheti final është më i ulët për 20 mijë euro krahasuar me buxhetin fillestar.

“OShP 89 për qind të buxhetit final e ka shpenzuar. Këtu ka ndikuar niveli i ulët i realizimit të pagave dhe mëditjeve, ku i kemi 18 mijë euro. Rekomandimet që i kemi dhënë ne si ZKA kryetari i OSHP është zotuar se do t`i plotësojnë”, ka thënë Fazliu.

Lumir Abdixhiku, kryesues i Komisionit për Buxhet dhe Financa, tha se nga 553 raste, OShP i ka dhënë vetëm 25 gjoba. Ai kërkoi nga kryeshefi i OShP-së Blerim Dina se sa persona janë dënuar.

“Prej 553 rasteve i keni dhënë vetëm 25 gjoba. Sa persona të punësuar i keni?”.

Ndërsa Enver Hoti, anëtarë i Komisionit, pyeti se çfarë ndodh me ata zyrtarë të cilët shkelin ligjin e Prokurimit Publik.

“Na dalin 322 shkelje të ligjit për prokurim publik. Si trajtohet kjo çështje kur një zyrtar që e shkel LPP çka ndodh?”.

Anëtarja tjetër e Komisionit, Safete Hadërgjonaj tha se numri i ankesave po rritet për çdo vit.

“Shtrohet dilema a janë vetëdijesuar Operatorët Ekonomik që duhet të bëjnë ankesa. Për çfarë arsye po rritet numri i ankesave dhe nëse kanë shkuar në rivlerësim 281 lëndë, është shumë edhe kur kanë shkuar në rivlerësim çka ka ndodh me to?”.

Pyetjeve të deputetëve, anëtarë të Komisionit për Buxhet dhe Financa, kryetari i OShP-së, Blerim Dina iu përgjigje duke thënë se: “Nëse zyrtarët e shkelin ligjin ne e kthejmë në rivlerësim, nëse e shkel sërish kërkojmë nga KRrPP-ja me ja anulu licencën atij zyrtari”.