ARKEP raporton në Komisionin Parlamentar për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike

Blerësit potencialë të IPKO-s do të bëhen të ditur në mesin e muajit nëntor

Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) ende nuk ka pranuar emrat e blerësve potencialë të kompanisë IPKO nga Telekomi i Sllovenisë. Emrat e blerësve potencialë, ARKEP-i do t’i pranojë në mesin e muajit nëntor.

Këtë e ka bërë të ditur Shqiprim Pula, anëtar i Bordit të ARKEP-it, gjatë raportimit të bordit në Komisionin për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike. Pula ka treguar se kanë mbajtur një takim me përfaqësuesit e Telekomit të Sllovenisë, të cilët nuk ia kanë dhënë emrat e ofertuesve por kanë treguar se numri i ofertuesve është me dy shifra.

“Gjatë bisedimit jemi njoftuar se ka disa blerës të mundshëm në proces, na thanë që është dy shifra, emrat e blerësve nuk na thanë, ata na premtuan që pas përfundimit të fazës së dytë, në fund të nëntorit kur dorëzohet oferta detyruese, atëherë do të mbajmë edhe një takim”, ka thënë Pula.

Po ashtu ai ka treguar, që në momentin që Telekomi i Sllovenisë i njofton për blerësit potencialë, ARKEP-i do të kërkojë hetim nga Inteligjenca Financiare dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI).

“Unë në takim ua bëra të ditur që ne si Autoritet pas ardhjes së emrave potencialë, do të angazhojmë akterë të tjerë, se është proces me Telekomin, sigurinë kombëtare, të dhëna kombëtare, atë që kërkova para se të vijnë në takim, është që unë zyrtarisht do t’i bëj kërkesë Inteligjencës Financiare për prejardhjen e parave dhe AKI për historikun që paraprakisht të dihet”, tha Pula.

Sa i përket ofertës së Telekomit të Serbisë, e cila e ka bërë të ditur ofertën për blerjen e IPKO-s, Pula ka thënë se nuk vjen në shprehje që Telekom Serbia të aprovohet si blerës i IPKO-s.

“Nuk vjen në shprehje që ata të hyjnë në Kosovë deri sa jam unë, nuk e them për patriotizëm”, u shpreh Pula.

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj ka thënë se atij i intereson nëse do të ketë garanci që asetet e IPKO-s nuk do të shkojnë aty ku nuk duhet.

“Neve na intereson a na garanton që asetet e IPKO-s nuk shkojnë aty ku nuk duhet, nuk e fshehim, është Telekomi i Serbisë, që e rrezikon sigurinë nacionale, domethënë me vepru më herët e jo ma na sjellë para aktit të kryer”, deklaroi Lekaj.

Në Komision u diskutua edhe skadimi i mandatit të bordit të ARKEP-it në muajin dhjetor. Deputeti i PDK-së, Ferat Shala pyeti Pulën se çka do të ndodhë në kohën kur bordit do t’i skadojë mandati dhe do të fillojë faza e tretë e shitjes së IPKO-s.

“Nga mesi i nëntorit vijnë na njoftojnë kush janë blerësit. Se nuk mund ta dimë sa shpejtë mund ta zhvillojnë procesin e shitjes. Me Ligj, ne mbetemi në detyrë deri të zgjidhet bordi i ri”, theksoi Pula.

Deputetja Mimoza Kusari – Lila kontestoi përfaqësimin e bordit të ARKEP-it nga anëtari i bordit, Shqiprim Pula, pasi ARKEP-i është pa kryesues të bordit, që kur Kreshnik Gashi nga pozita e kryesuesit të bordit është emëruar drejtor i AKI-së.

Kusari – Lila kërkoi sqarime nga Pula nëse ka vendim të nënshkruar nga bordi për përfaqësim të bordit të ARKEP-it. Por Pula tha që nuk ka vendim të nënshkruar por vetëm dakordim mes anëtarëve të bordit.

“Për ne është mandatare që urgjentisht të kërkohet të plotësohet vendi në bord”, deklaroi Kusari-Lila.

Pula deklaroi gjithashtu që nuk është arritur pajtueshmëri që ta ngarkohet njëri nga anëtarët e bordit aktual me detyrën e kryesuesit.

“IPKO na ka dërgu në Gjykatë por ne e kemi fitu rastin. Çdo vendimmarrje me 3 anëtarë është e ligjshme. Ata e kanë kontestu në gjykatë por ne e kemi fitu. Në dhjetor ne e përfundojmë mandatin kështu që ju bëni të mundur zgjedhjen e bordit të ri me 5 anëtarë, nëse ky është shqetësimi”, iu përgjigj Pula deputetes Kusari – Lila.

Në mars të vitit 2018, Telekom Slovenia u bë pronar i vetëm i IPKO-s, pasi u pajtua të blejë pjesën e mbetur prej 6.89% të kompanisë që nuk e kishte tashmë.

IPKO Telecommunications LLC është ofruesi kryesor i lidhjeve me brez të gjerë dhe ofrues i dytë më i madh në Kosovë.

Telekomi i Serbisë ka bërë një ofertë për blerjen operatorit kosovar të telefonisë mobile IPKO. Për këtë ka raportuar edhe RTS.

Mirëpo Telekomi i Serbisë nuk ka ofruar informacione tjera më të detajuara, për shkak të marrëveshjes për të mos zbuluar detaje nga oferta.

Në një postim në Twitter kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti ka thënë se Telekomi i Serbisë është ofertuesi më i mirë duke ofruar 155 milionë euro për të blerë aksionet e IPKO-s.