Blair pritet me nderime në Kuvendin e Kosovës, Konjufca: Kjo foltore dhe ky parlament është i juaji
Kuvendi i Kosovës ka mbajtur seancë solemne në prag të 25- vjetorit të çlirimit të Kosovës.
Në fillim të seancës, me duartrokitje nga deputetët dhe qeveritarët kosovarë u prit ish-kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Tony Blair.
Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se kontributi i Blair-it për Kosovën është i pashoq dhe se aleatët ndërkombëtarë e ndaluan gjenocidin në Kosovë.
“Falë kontributit të tij, të Clinton-it, Clark-ut e shumë figurave tjera, dhe falë vendosmërisë së tyre dhe luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e ndalën gjenocidin e Serbisë në Kosovë. Ata aktivizuan NATO-n për ta ndaluar gjenocidin në Kosovë, dhe për këtë ne do të jemi përjetësisht falënderuese”, theksoi ai.
Ai shtoi se Blair do jetë gjithmonë i mirëseardhur në Kosovë.
“Kjo foltore dhe ky parlament është i juaji”, shtoi Konjufca.
Blair, së bashku me ish-presidentin amerikan, Bill Clinton, konsiderohen si mbështetësit më të mëdhenj të Kosovës gjatë periudhës së luftës.