Ilustrim

Biznesmeni drekoi me prokurorin pak minuta para incidentit ku u përdor arma

Ibrahim Berisha, prokuror i krimeve të rënda në Prishtinë, dhe Imer Beka, ish-Kryeprokuror i Prishtinës, kishin drekuar në një tavolinë me biznesmenin Mehdi Gjoka pak minuta para ky i fundit të përfshihej në një konflikt ku u përdorën edhe armët.

Rrethanat dhe motivi i ngjarjes së 15 janarit ende nuk janë sqaruar në plotni, ndërsa KALLXO.com mëson se konflikti ndodhi në njërin nga restorantet në lagjen Emshir të Prishtinës.

Biznesmeni Gjoka, pronar i kompanisë Fer Petrol, ka rrëfyer për KALLXO.co se atë ditë kishte drekuar me prokurorin dhe ish-prokurorin dhe derisa po kryente pagesën e ushqimit ai është konfrontuar me biznesmenin tjetër M. Pajaziti, grupi i të cilit kishte përdorur armën.

“Unë e kam dhënë deklaratën në polici. Unë kam tregu ka ndodhë qysh ka ndodhë, gjykata, drejtësia merret me këtë rast. Ai e din çfarë konflikti ka pasur me mua (fjala për personin e dyshuar), unë nuk e di”, ka thënë Gjoka.

I pyetur nëse ka qenë me ish- kryeprokurorin Beka dhe prokurorin Berisha duke ngrënë drekë po atë ditë, Gjoka e pohoi një gjë të tillë.

“Para se mu nda… të gjitha janë në polici. Ka qenë një përleshje, kam dhënë deklaratën në polici nuk di çka tjetër me të dhanë. Të gjitha kanë ndodhë, kanë gjuajtur me revole”, ka pohuar Gjoka.

Gjoka ka thënë se rasti ka filluar gjatë kohës kur ai ka qenë duke bërë pagesën për drekën të cilën e ka ngrënë me prokurorin Berisha dhe ish-kryeprokurorin Beka.

“Ata kanë qenë pak ma larg, sepse kur jemi çu unë kam qenë tu e bo pagesën në banak, shihet në kamerë, dhe kanë ardhur me pistoletë të tretë”, ka shpjeguar Gjoka.

Sipas Gjokës, arsyeja e drekës me prokurorin dhe ish-kryeprokurorin në ditën kur ka ndodhur rasti ishte miqësia e tyre.

“Po ti a pe sheh çfarë kahje i jep ngjarjes, po a e din çka e kam unë prokurorin. Mos më shti me u merr me ju. Na jemi miq qe 40-50 vjet. Përveç kësaj jemi edhe shokë prej fëmijërisë, mos ja futni kot, bëhuni më të disiplinuar pak. Mos u bëni ksi far”, ka thënë Gjoka.

Të kontaktuar nga KALLXO.com, Prokurori Ibrahim Berisha dhe ish-kryeprokurori Imer Beka kanë mohuar versionet që ishin në drekë me biznesmenin pak minuta para se biznesmeni të përfshihet në përleshje.

“Po na kemi qenë si çdo qytetar duke ngrënë ushqim dhe ka ndodhur një mosmarrëveshje mes palëve, kaq më shumë asgjë. Aty ka qenë kallaballëk i madh”, ka thënë prokurori Ibrahim Berisha.

Ai ka thënë se konflikti ka ndodhur jashtë tavolinës së tyre. “Aty s’ka ndodh kurrgjë sa kanë qenë në tavolinë. Aty ka qenë Imeri (Beka), dhe kanë qenë edhe 4-5 persona të tjerë”, ka thënë Berisha.

Ish-Kryeprokurori i Prishtinës tani avokat, Imer Beka, nuk ka pranuar se ishte në tavolinë me biznesmenin.

“Unë kam qenë vetëm mysafir që kam shku me ngrënë bukë, kemi dal me Ibrahim Berishën, kemi qenë duke ngrënë bukë. Kur ka ndodhur rasti unë jam larguar nga lokali, nuk di asgjë”, ka thënë Beka.

Versioni i Prokurorisë

Në lidhje me këtë rast, KALLXO.com ka kërkuar edhe përgjigje nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, të cilët kanë konfirmuar se rasti është duke u hetuar, por nuk kanë dhënë detaje rreth personave të përfshirë në këtë rast.

“Duke ju referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, lidhur me këtë rast, mund t’ju konfirmojmë se më 15.01.2020, në një lokal në lagjen Emshir në Prishtinë, ka ndodhur një përleshje mes dy personave. Prokuroria Themelore në Prishtinë është duke e trajtuar rastin në fjalë, me ç’ rast ka filluar t’i zhvilloj hetimet për sqarimin e kësaj çështjeje penale. Rasti është duke u hetuar në procedurë të rregullt”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Se çfarë kishte ndodhur po atë ditë në një lokal në Prishtinë më saktësisht në lagjen Emshir, KALLXO.com ka tentuar të kontaktojë edhe me biznesmenin M. Pajaziti por ai ka qenë i paqasëshëm në telefon. Sipas versionet të prokurorisë Pajaziti është lënë i lirë edhe përkundër të shtënave në publik.