Bizneset prodhuese në Kosovë thonë se reduktimet e rrymës po ua vështirësojnë punën

Që nga 15 gushti, Kosova po përballet me reduktime të energjisë elektrike. Kjo për shkak të krizës energjetike të shkaktuar nga mungesa e prodhimit vendor të energjisë si dhe të pamundësisë financiare të KEDS/KESCO për të blerë energji nga jashtë.

Reduktimet e rrymës po u sjellin probleme bizneseve në Kosovë. Disa prej kompanive prodhuese në vend thonë se reduktimet ua kanë veshtirësuar punën këto ditë.

Nga kompania që merret me përpunimin e produkteve të mishit “MEKA Halal Food”, thonë se pas fillimit të ndërprerjeve të rrymës, blerja e derivateve të naftës po ju shkakton kosto shtesë.

Pronari i kësaj kompanie, Pirro Piraj, tha për KALLXO.com se për shkak të kësaj janë detyruar të shtrenjtojnë produktet.

“Kjo na shkakton kosto shtesë duke e pasë parasysh edhe shtrenjtimin e të gjithë lëndës së parë prej mishit, erëzave, paketimit e kur vjen puna edhe të çështja e rrymës, këto ndërprerje neve na kushtojnë mbi 10 mijë euro shtesë për një muaj vetëm për derivate. Kjo neve na ka kushtëzu me e ngrit çmimin e produkteve sepse nuk po mundemi assesi me ia dalë” – tha ai për KALLXO.com.

Ai ka thënë çmimet e produkteve të “MEKA Foods” janë rritur përafërisht pesë për qind.

Pirraj tha për KALLXO.com se kompania funksionon me gjeneratorë gjatë kohës kur ka reduktime të energjisë elektrike.

“Jemi duke funksionu me gjeneratorë dhe nëse respektohet ai vendimi që në çdo 8 orë me qenë 2 orë reduktime neve na vijnë shpenzimet për karburante mbi 10 mijë euro” – tha ai.

Ndërsa në kompaninë që merret me përpunimin dhe distribuimin e produkteve të patates “VIPA” thonë se pas fillimit të reduktimeve të rrymës kanë problem me funksionimin e makinerive.

“Është shqetësim sepse është rrezik që me u dëmtu komplet makineria kur ndalet rryma pa paralajmërim. Ne kemi funksionu me gjeneratorë dhe kostot e gjeneratorit janë të papërballueshme. Kosto e gjeneratorit është diku 10% e faturës mujore” – ka thënë për KALLXO.com Kushtrim Ajvazi, drejtor i financave në ketë kompani.

Ai thotë se ndalja e makinerive prodhuese ka ndikuar në sasinë e prodhimit.

“Automatikisht ka ndikim, sepse kur ndalet rryma ndalet komplet makineria, tash brenda një orari të punës po humbin diku 1 orë e gjysmë deri në 2 orë punë efektive”.

Ndërsa sa i përket rritjes së çmimit të produkteve, Ajvazi tha për KALLXO.com se janë duke i analizuar mënyrat se si do të zgjidhin këtë pjesë.

“Për momentin jemi duke e analizuar ketë pjesë, por nëse vjen duke ra produktiviteti në kompani normalisht nënkupton që rriten kostot dhe kur rriten kostot s’ke çka bën veç me e rrit çmimin për me e mbulu koston, kjo shkon zinxhir” – ka thënë ai.

Me problemet pothuajse të njëjta po përballet edhe kompania “Happy” e cila merret me prodhimin e pecetave të lagura dhe produkteve të tjera higjienike.

Kjo kompani, e cila funksionin me rreth 50 punëtorë, këto ditë është përballur me vonesa në eksportimin e produkteve për shkak të reduktimeve të rrymës.

“Ne kryesisht e kemi eksport shumicën e prodhimit në vende të Bashkimit Evropian e tash po kemi vonesa e probleme tjera. Deri në 200 euro në orë kemi harxhime për naftë të gjeneratorëve. Gjeneratorët po nxehen, po i prishin makinat sepse nuk është energji stabile, kjo është vetëm si infuzion” – kanë thënë nga “Happy” për KALLXO.com.

Nga kjo kompani thonë se humbjet nga mungesa e energjisë elektrike mund të shkaktojnë kolaps të kompanive.

“Neve kjo mundet me na shkaktu kolaps, deri në mbyllje. Ka qenë fuqia punëtore dhe energjia elektrike që na bëjnë konkurrent në Evropë” – thotë për KALLXO.com njëri nga bashkëpronarët e kësaj kompanie.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë ka kërkuar që Kompania për distribuimin e energjisë në Kosovë – KEDS, të furnizojë 24 orë me rrymë bizneset.

Sipas Dhomës së Tregtisë, reduktimet e energjisë elektrike do t’i dëmtonin në masë të madhe bizneset dhe pasojat do të jenë në humbjen e tregut si brenda ashtu edhe jashtë vendit si dhe në humbjen e vendeve të punës.

Kompania për distribuimin e energjisë në Kosovë, KEDS, më 14 gusht ka njoftuar se ka pranuar urdhëresë nga Qendra Nacionale Dispeçerike e Kosovës, pjesë e KOSTT-it, që të fillojë me kufizimet e energjisë elektrike nga ora 8:00 e 15 gushtit.

Ndërsa, po atë ditë kompania për distribuimin e energjisë në Kosovë – KEDS, ka rikthyer furnizimin e rregullt me energji elektrike pasi është arritur marrëveshja në mes Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe Korporatës Elektroenergjitike të Shqipërisë (KESH).

“Bashkëpunimi me Shqipërinë do të pasohet nga të tjera masa në adresim të krizës energjetike dhe gjendjes së emergjencës ku ndodhemi. Falë kësaj pune dhe bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë, përkatësisht Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe Korporatës Elektroenergjitike të Shqipërisë (KESH) është arritur që të evitohen reduktimet që nga ora 14:00 dhe të vazhdojë furnizimi i rregullt me energji elektrike”- thuhet në njoftimin e Ministrisë së Ekonomisë.

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike në Kosovë – KOSTT kishte thënë se instruksionet për reduktime të rrymës do të mbesin në fuqi deri në stabilizimin e situatës.