Ilustrim

Bizneset në Podujevë do të punojnë në dy të dielat e ardhshme për shkak të festave të fundvitit

Komuna e Podujevës ka njoftuar që bizneset e kësaj komune do të mund të punojnë në dy të dielat e ardhshme për shkak të festave të fundvitit.

“Për nder të festave të fundvitit dhe duke pasur parasysh se në komunën tonë kanë ardhur një numër i madh mërgimtarësh, Drejtoria për Planifikim dhe Zhvillim Ekonomik dhe Drejtoria e Inspeksionit e Komunës së Podujevës, kanë marrë vendim që dy të dielat e ardhshme (27.12.2020 dhe 03.01.2021) të lejohet puna e bizneseve në territorin e komunës sonë, sipas orarit të përcaktuar me vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Komunës së Podujevës.

Komuna ka theksuar se ky vendim është marrë me qëllim që të shmanget grumbullimi i madh i qytetarëve gjatë ditëve të tjera të javës, të cilët kryejnë furnizimet nëpër qendra tregtare e dyqane për festën e Vitit të Ri, por edhe të krijohen lehtësira për mërgimtarët që kanë ardhur për të festuar me familjet e tyre.

Përjashtim nga ky vendim bëhet vetëm për barnatoret, të cilat vazhdojnë të punojnë me kujdestari.