Ilustrim: Porti i Durrësit

Bizneset kosovare mirëpresin hapjen e një pike doganore në Portin Shqiptar

Bizneset kosovare thonë se plani për të hapur një zyrë doganore të Kosovës në portin e Durrësit në Shqipëri do të lehtesojë shumë procedurat doganore, do të kursejë kohë dhe do të rrisë vëllimin e tregtisë.

Komuniteti i bizneseve të Kosovës thanë për BIRN se ata e mirëpresin marrëveshjen midis qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës për “bashkëpunim dhe ndihmë reciproke në çështjet doganore”, e cila eventualisht do të nënkuptonte që Kosova të ketë zyrën e saj doganore në portin shqiptar të Durrësit në Adriatik.

Sipas tyre, zyra do të lehtësojë procedurat doganore dhe do tu kursejë kohë bizneseve.

“Ne kemi miratuar një projektligj për ratifikimin e marrëveshjes me Kosovën për lehtësirat e ndërsjella në procedurat doganore, si dhe kontrollin e produkteve që hyjnë dhe dalin jashtë vendit”, tha të mërkurën ministrja e Financave e Shqipërisë, Delina Ibrahimaj.

“Duke iu referuar marrëveshjes së arritur nga dy vendet në nëntor 2021, marrëveshja parashikon hapjen e pikës doganore të Kosovë në portin e Durrësit”, shtoi Ibrahimaj.

Besir Cmega, pronar i  kompanisë së transportit në Kosovë, Railtrans LLC, i tha BIRN se një doganë e Kosovës në Durrës do ta ndihmonte kompaninë e tij në përshpejtim të mbërritjes se mallrave në Kosovë.

“Procedurat e zhdoganimit do të kryheshin derisa kontejnerët janë ende në port”, tha Cmega për BIRN, duke shtuar se kostot do të reduktohen gjithashtu sepse aktualisht të gjitha inspektimet e mallrave që mbërrijnë në Shqipëri për në Kosovë duhet të bëhen veçmas nga dogana e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë.

Berat Rukiqi, drejtor i Odës Ekonomike të Kosovës, tha për BIRN se qëllimi ishte të lehtësohej tranziti dhe zhdoganimi i mallrave në pikën e mbërritjes.

“Kjo do të lehtësojë qarkullimin e mallrave duke lehtësuar burokracinë dhe duke reduktuar kohën, pasi kamionët nuk do të kalojnë më në kontrolle të dyfishta apo të trefishta”, tha ai.

Ministrja Ibrahimaj  tutje theksoi: “Kjo marrëveshje do ta bëjë më të lehtë tregtinë për dy vendet tona. Do të njihen të gjitha licencat e lëshuara nga të gjitha autoritetet doganore kufitare. Do të unifikojë kontrollet doganore të dy vendeve, duke reduktuar kohën që duhet për t’i përfunduar ato”.

Një nga vështirësitë kryesore në tranzitin e mallrave përmes Durrësit për kompanitë kosovare, sipas Cmega-s, janë procedurat e dyfishta sepse procedurat e tranzitit duhet të kryhen nga agjencitë doganore shqiptare me të njëjtat procedura si zhdoganimi në Kosovë. Kjo, sipas tij, kërkon kohë dhe krijon vonesa.

“Procedurat shpesh nuk kryhen brenda ditës dhe kështu kamioni së bashku me shoferin duhet të qëndrojnë në Shqipëri për një ditë shtesë”, vuri në dukje Cmega.

“Nëse zhdoganimi mund të përfundojë në Durrës, nuk do të ketë kosto shtesë terminali në transportin në Kosovë, i cili kushton 40 euro për kamion në ditë”, shtoi Cmega.

Astrit Panxha, nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës, tha për BIRN se hapja e portit të Durrësit për doganat e Kosovës do të ndihmonte qarkullimin e mallrave.

“Do të shkurtojë procedurat dhe kohën e pritjes sepse kamionët nuk do të kenë nevojë të ndalojnë në pikën e kalimit kufitar”, shpjegoi Panxha.

Marrëveshja tani do shkoj në parlamentin e Shqipërisë dhe do të hyjë në fuqi “në ditën e parë të muajit të dytë”, pasi të dy vendet të përmbushin kërkesat ligjore për zbatimin e saj. BalkanInsight