Bizneset e vogla investueset më të mëdha në afarizmin e tyre

Bizneset e vogla në Kosovë, të cilat punësojnë prej 10 deri në 49 punëtorë, rezultuan të jenë investueset më të mëdha ne afarizmin e tyre. Më shumë se gjysma e investimet kishin të bënin në objekte ndërtimore por edhe në makineri e pajisje. Ndërsa më shumë se gjysmën e investimeve e bënë me burime të vetë bizneseve ndërsa pjesa tjera përmes kredive dhe formave tjera. Bizneset e Rajonit të Prishtinës prijnë me përqindje më të lartë të investimeve.

Rezultatet tregojnë se investimet në ndërtim në kuadrin e investimeve totale të ndërmarrjeve të përfshira në anketë (ndërtesa dhe struktura të tjera ndërtimore) zënë peshën kryesore me 55.7 për qind të investimeve, Investimet e tjera, që zënë një peshë të konsiderueshme, janë ato në makineri dhe pajisje me 36.4 për qind. Ndërsa, investimet në produktet e pronësisë intelektuale përbëjnë 1.5 për qind, investimet biologjike të kultivuara dhe serat në bujqësi me 0.3 për qind, si dhe investimet në asete të prekshme (jo të prodhuara) me 5.9 për qind.

Më shumë investime kanë realizuar ndërmarrje e vogla të cilat punësojnë prej 10 deri 49 punëtorë

“Sipas madhësisë se ndërmarrjeve: 22.8% e investimeve, janë realizuar nga ndërmarrjet mikro (1-9 punëtorë); 38.03% në ndërmarrjet e vogla (10-49 punëtorë); 20.7% në ndërmarrjet e mesme (50-249 punëtorë); dhe 18.4% në ndërmarrjet e mëdha (250 e mbi punëtorë).”, thuhet në komunikatë.

Tutje, rezultatet ASK-së tregojnë se ndërmarrjet në: Rajonin e Prishtinës kanë realizuar përqindjen më të lartë të investimeve 48.8 për qind, Rajonin e Prizrenit 12.3 për qind, Rajonin e Ferizajt 10.8 për qind; Rajonin e Pejës (9.04%); Rajonin e Mitrovicës 7.3 për qind; Rajonin e Gjilanit 7.2 për qind; dhe Rajonin e Gjakovës 4.2 për qind.

Ndërsa për nga burimet e fondeve më shumë se gjysma apo 59.1 për qind e investimeve, ndërmarrjet i kanë realizuar nga fondet e veta; 32.02 për qind nga kreditë bankare vendore; 3.8 për qind nga bashkë-investitorët vendorë; 1.7  për qind nga bashkë-investitorët e jashtëm; dhe 3.2%  nga forma të tjera.

Këto të dhëna u bënë të ditura nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) lidhur me Investimeve në Ndërmarrje, për vitin 2019.  ASK-ja në vitin 2020 ka zhvilluar anketën për statistikat e Investimeve në ndërmarrje në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, që kanë deklaruar blerje investive në shumë vjetore mbi 50 mijë Euro.