www.pixabay.com

www.pixabay.com

Bizneset e vogla investueset më të mëdha, kryesisht në ndërtim

Bizneset mikro e të vogla në vend, po del të jenë investueset më të mëdha në afarizmin e tyre sesa ato të mesëm e të mëdha. Investimet kryesisht ishin në ndërtim, dhe me fonde vetanake.

Më shumë investime  pati në ndërtim

“Sipas rezultateve të dala nga anketa, në nivel vendi, investimet në ndërtim zënë peshën kryesore me 52.68% të investimeve. Ndërkaq, investimet e tjera që zënë një peshë të konsiderueshme janë ato në: makineri dhe pajisje (37.27%); investimet në asete të prekshme (6.46%); investimet në produktet e pronësisë intelektuale (3.56%); si dhe investimet biologjike të kultivuara dhe serrat në bujqësi (0.03%)”- njofton ASK.

Sipas madhësisë se ndërmarrjeve në nivel vendi, rreth 64.59 për qind e investimeve të ndërmarrjeve të përfshira në anketë janë realizuar nga mikro – ndërmarrjet (1-9 punëtorë) dhe ndërmarrjet e vogla (10-49 punëtorë). Ndërmarrjet e mesme (50-249 punëtorë) dhe ato të mëdha (250 +)  marrin pjesë me rreth 35.41 për qind të investimeve totale.

Ndërkaq, sa u përket rajoneve, përqindjen më të lartë të investimeve e kanë ndërmarrjet e përqendruara në Rajonin e Prishtinës, Pejës dhe Prizrenit, që kanë realizuar rreth 76.24 për qind të totalit të investimeve të realizuara gjatë vitit 2021. Kurse, rajonet e tjera përbëjnë përqindje më të ulët të investimeve gjate vitit 2021.

Pjesa më e madhe e investimeve, ndërmarrjet i bën nga fondet e veta

“Kurse, sa i përket burimit të investimeve, rreth: 61.99% e vlerës së investimeve të ndërmarrjeve është realizuar nga fondet e veta; 30.42% nga bankat vendore; ndërkaq burimet tjera zënë një peshë më të vogël në kuadrin e burimeve totale për investime”- tregojnë të dhënat e ASK.

Këto të dhëna Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) i bëri të ditura me publikimin e “Anketës së Statistikave të Investimeve në Ndërmarrje për vitin 2021”. Këtë vit, për herë të parë, të dhëna publikohen në nivel vendi.

ASK-ja ka zhvilluar anketën për statistikat e investimeve në ndërmarrje në tërë territorin e Republikës së Kosovës, kryesisht në ndërmarrjet qe kanë deklaruar Blerje investive në shumën vjetore prej mbi 50 mijë Euro.