Bizneset e llixhave në Shqipëri në ujëra të turbullta nga COVID-19

Punonjësit e bizneseve të turizmit kurativ në zonën e Elbasanit mbetën në shumicë jashtë paketave të ndihmës të dhëna nga qeveria pas shpërthimit të epidemisë së koronavirusit të ri.

Luljeta banon në fshatin Llixhë të Elbasanit, zonë që siç sugjeron dhe vet ermi është e njohur për ujërat termale dhe turizmin mjekësor. Si çdo vit këtë behar ajo priste të fillonte punë me 15 mars, kohë kur hoteli ku punon hap sezonin, pasi llixhat përndryshe nga plazhet funksionojnë në stinën e pranverës dhe vjeshtës.

Por mbyllja e kufijve dhe kufizimi i lëvizës brenda vendit për shkak të masave të distancimit social të marra për parandalimin e epidemisë së COVID-19, bëri që Luljeta të mos punojë në këtë periudhë si zakonisht. Ajo gjithashtu mësoi shpejt se si punonjëse sezonale nuk mund të marrë asnjë ‘pagë lufte’ apo të përfitojë nga skemat e tjera të ndihmës shtetërore.

“Nuk jam e qartë nëse duhet të merrja pagë apo jo pasi unë konsiderohem e papunë,” tha Luljeta. “E vërteta është që nuk kam marrë asgjë,” shtoi ajo.

Ajo shpjegoi se hoteli ku punon, rri hapur 3 muaj në pranverë dhe rreth 3 muaj në vjeshtë, ndërsa për pjesën tjetër të vitit pronari ia shkëput marrëdhëniet e punës pasi nuk ka klientë.

“Realisht duhet ta përfitoja pasi fëmijët e mi këto muaj presin,” tha Luljeta. “Si mua janë edhe shumë punonjës të tjerë që punësohen në sezon”, shpjegoi ajo.

Luljeta shpjegon se u interesua si shumë të tjerë pranë njësisë vendore administrative, por për shkak të shkëputjes nga sigurimet shoqërore për periudhën jashtë sezonit turistik të banjave termale nuk mund të përfitonte asgjë.

Turizimi kurativ është veprimtaria kryesore ekonomike në zonën me ujëra termale të Elbasanit. Rreth 100 biznese, përfshi hotele dhe njësi shërbimi presin sezonin për të siguruar të ardhura për të gjithë vitin. Numri i të punësuarve llogaritet në rreth 300 nga autoritetet lokale, por mjaft të tjerë janë në të zezë, ndërsa të ardhurat e këtij biznesi ushqejnë qindra familje.

Drejtoria Rajonale Tatimore në Elbasan tha në një përgjigje me shkrim se në të gjithë Njësinë Administrative Tregan, ku janë përqendruar edhe njësitë e shërbimeve për turizmin kurativ, vetëm 4 punonjës kanë përfituar nga paketa e parë e ndihmës dhe në paketën e dytë kanë marrë të ashtuquajturën “pagë lufte” 41 punonjës.

Kreu i Partisë Demokratike të Elbasanit, Eugen Isaj e akuzoi qeverinë se i kishte lënë bizneset e kësaj zone pa ndihmë. Pas një takimi me disa prej pronarëve të hoteleve, Isai shkroi në faqen e tij në Facebook se rreth 400 familje në 56 njësi shërbimi ishin penalizuar.

“Bizneset e turizmit balnear nuk kanë përfituar nga paketat pasi funksionojnë në shumicë me periudha sezonale,” deklaroi Isaj. “Po ashtu po përballen edhe me fatura aforfe të dritave dhe të ujit si dhe nuk kanë asnjë klient e nuk dihet nëse do të kenë deri në fund të sezonit,” shtoi ai.

Nga ana e saj Bashkia e Elbasanit vendosi që për periudhën mars-maj 2020, bizneseve do t’u falet taksa e zënies së hapësirës publike dhe ato përjashtohen nga detyrimi për të deklaruar shtretër të zënë dhe netë qëndrimi në hotele dhe bujtina.

Në këtë kohë të vitit, normalisht zona e llixhave gumëzhin dhe ka me mijëra frekuentues, por për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19 rrugët tani janë bosh. Në njësitë e shërbimit përgjatë rrugës shikon njerëz që punojnë në meremetime, rregullime dhe sistemim të ambjenteve në pritje të hapjes që do tu sjellë atyre klientë.

Pronari i një hoteli në fillim të zonës thotë se të gjitha prenotimet që ka pasur në këtë periudhë janë anuluar.

“Nuk di të them se çfarë do bëhet. A do të hapemi? A do të kemi klientë apo do të kenë frikë të vijnë? Ka shumë pikëpyetje që më vijnë në mendje,” tha ai.

Megjithë pikëpyetjet, sipërmarrësi elbasanas ka shpresë se vjeshta ka për të qenë më mirë, edhe pse droja për një rikthim të virusit, ekziston.

“E vërtetë që po merremi me meremetime të domosdoshme për shkak të kohës së gjatë pa njerëz,” tha ai.

“Jemi në pritje të dritës jeshile duke u bërë thirrje njerëzve të vijnë pasi ne do të krijojmë kushte maksimale edhe mbrojtjeje kundër COVID-19,” shtoi hotelieri.

Në qendër të fshatit ndërkohë kanë filluar të lëvizin bizneset e para. Kafenetë janë hapur, dhe pak tregtarë ambulantë kanë filluar të nxjerrin tezgat e tyre. Por këto për banorët janë pak. Edhe për ata dhjetra që kanë marrë paga ndihme situata nuk është pozitive.

Ermira Boçi, një prej tyre, thotë se paga e luftës nuk e zgjidh gropën ku do përfundojnë nëse nuk fillojnë punën si më parë.

“Ne kemi 10 punonjës në hotel dhe të gjithë e kanë marrë pagën e luftës për faktin se i kemi të siguruar gjatë gjithë vitit,” tha ajo. “Problemi është se 400 mijë lekë [të vjetra] nuk janë të mjaftueshme në një periudhë kur jemi të penalizuar në pikun e frekuentimeve,” shtoi Boçi.

Boçi nënvizon se për ta funskionimi është i pamundur nëse nuk hapen kufinjtë dhe nuk lejohet qarkullimi me transport publik, pasi klientët i kanë kryesisht nga Kosova e Maqedonia, por edhe nga zona të tjera të Shqipërisë.

“Nëse nuk hapen kufijtë dhe nuk fillon lëvizja do vazhdojmë të mos kemi klientë,” tha ajo, duke shtuar se  “këtë mund ta quaj një sezon të djegur.”

“Shpresojmë që vjeshta të mos jetë e tillë pasi në të kundërt shkojmë drejt falimentit,” përfundoi Boçi.