Bisnik Bislimi: Çështja e viktimave të dhunës seksuale do të jetë pjesë e dialogut me Serbinë

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Bisnik Bislimi ka paralajmëruar se në bisedimet me Serbinë, do të shtroj për diskutim edhe çështjen e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Ai këtë e ka bërë të ditur para Komisionit për Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione.

Bislimi ka raportuar për takimet e mbajtura në Bruksel me Serbinë me datën 7 dhe 8 shtator në Bruksel.

‘’Gjatë këtyre dy datave ne kemi pasur takime të ndara, fillimisht bilaterale me Bashkimin Evropian. Pala serbe ka bërë katër propozime shtesë, si propozime ishin tema për asociacionin, energjinë elektrike në veri, çështjen e targave të automjeteve, si dhe për rastin e gjykimit të Ivan Tedosiçit. Por që këto tema ne i kemi refuzuar si delegacion’’, ka thënë Bislimi.

Po ashtu ai ka njoftuar në këtë takim para Komisionit, se kanë kërkuar hapjen e arkivave të shtetit të Serbisë që kanë të bëjnë me luftën në Kosovë.

‘’Gjatë takimit kemi kërkuar edhe hapjen e arkivave të shtetet të Serbisë, e po ashtu kemi kundërshtuar prezencën në takim të përqafuesit të Komisionit Qeveritar të caktuar nga Serbia’’, ka thënë Bislimi.

Ai është shprehur se deri në momentin kur kanë ngritur çështjen për përqafuesin e Komisionit Qeveritar serb, kanë pasur shumë pak informata rreth të kaluarës së tij e po ashtu edhe Bashkimi Evropian nuk ka qenë i informuar lidhur me të kaluarën e tij.

“Lajçak nuk ka qenë ndonjëherë i informuar rreth të kaluarës së tij, ata thanë se ai ka qenë edhe përfaqësues i Serbisë edhe përballë Kroacisë dhe Bosnjës dhe këto dy shtetet nuk ka pasur ndonjë problem’’, ka thënë Bislimi.

Në fund Bislimi është shprehur se kanë strategji si shtet por që strategjitë për dialogun nuk e shpalosin para bisedimeve.