Bislimi: Vendimi për targat, s’ka të bëjë asgjë me marrëveshjen e Brukselit

Në mbledhjen e Komisionit për Integrime Evropiane, ku po raporton zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, është përmendur edhe çështja e targave të automjeteve serbe që hyjnë në Kosovë, me ç’rast Bislimi, ka potencuar se nuk ka ndonjë lidhje mes vendimit për targat dhe marrëveshjes së Brukselit që skadoi më 15 shtator.

Sipas Bislimit, kjo lidhje mes dy çështjeve është krijuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili po e përdor si manipulim.

“Vendimi për targat nuk ka të bëjë asgjë me marrëveshjen e Brukselit, pasi ajo marrëveshje ka skaduar me 15 shtator. Vendimi për reciprocitet ishte vendim sovran i Kosovës. Është gabim edhe konfirmimi i asaj që po mundohet të manipuloj edhe Vuçiqi se ky vendim ka të bëjë me marrëveshjen e Brukselit”, ka deklaruar Bislimi.

Ndërkohë, në veri po vazhdon situata e njëjtë në pikat kufitare, ku automjetet serbe obligohen të pajisen me targa të përkohshme të Republikës së Kosovës përderisa qarkullojnë brenda territorit të Kosovës.