Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Bislimi: Ujdia e përhershme për targat duhet t’i plotësojë tri kritere

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, ka zbardhur detaje mbi marrëveshjen e përhershme të mundshme mes Kosovës dhe Serbisë mbi targat e automjeteve.

Në fund të muajit shtator, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje të përkohshme për targat derisa dy shtetet të gjejnë një ujdi të përhershme.

Aktualisht, dy vendet aplikojnë masa ndaj njëra-tjetrës për hyrje në dy territoret e shteteve duke mbuluar pjesët identifikuese të shtetësisë.

Bislimi ka thënë se marrëveshja e përhershme synon t’i plotësojë disa kritere.

“Deri më tani i kemi pasur dy takime të ekipeve në nivel teknik, ekipet janë teknike dhe kanë mandatin shumë të qartë  dhe duhet të prodhojnë një marrëveshje të përhershme për çështjen e targave e cila duhet t’i plotësojë disa kritere”, tha Besnik Bislimi në emisiionin “Kallxo Përnime”.

“Kriteri i parë është që kjo marrëveshje duhet të derivojë nga praktikat dhe standardet më të mira të Bashkimit Evopian. E dyta është se, marrëveshja duhet se në rast që prodhon modifikime, modifikimet duhet të jenë të dyanshme dhe e treta që, në rast se njëjta palë nuk tregohet konstruktive në gjetjen e marrëveshjes së përhershme, ajo palë do të trajtohet si palë bllokuese e dialogut”, ka shpjeguar Bislimi.

Sipas tij, ekipet teknike të dy shteteve përbehen nga katër persona ndërsa sipas tij, Kosova po përfaqësohet nga njerëz profesionistë.

Ai tha se po pritet propozimi nga grupet teknike që të ketë një vendim politik pastaj.

“Nëse ne gjejmë një marrëveshje e cila kërkon për shkak të standardëve të BE-së modifikim të elementeve të domosdoshme dhe elementeve vullnetare të tabelave, nuk e dimë sot, por nëse duhet të hiqet RKS atëherë duhet të hiqet edhe SRB në anën tjetër, duhet të jenë ndryshime të dyanshme nëse kërkohet që të njëjtat të sillen në harmoni”, tha ai. “Nuk është problemi me R-në te Serbia”, shtoi ai.