Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Bislimi udhëton për në Bruksel për takimin e radhës të dialogut Kosovë-Serbi në nivel kryenegociatorësh

Zëvendëskryeministri Kosovës, Besnik Bislimi, ka udhëtuar për në Bruksel më 16.09.2024.

Atje, më 17.09.2024, ai do të marrë pjesë në takimet e radhës të parapara në kuadër të procesit të dialogut Kosovë-Serbi.

Kështu ka njoftuar Qeveria e Kosovës.

Takimi i ardhshëm mes kryenegociatorëve të dialogut Kosovë- Serbi, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, do të mbahet të martën më 17.09.2024.

Para se të merrej vendimi për datën 17 shtator pati deklarime se takimi i planifikuar ishte refuzuar nga pala serbe.

Zëvendëskryeministri Bislimi të premten, më 13.09.2024, kishte deklaruar se Serbia e ka refuzuar takimin në nivel kryenegociatorësh të planifikuar më 17 shtator, sipas rendit të ditës të përcaktuar nga ndërmjetësi i Bashkimit Europian, Mirosllav Lajçak.

Kështu i kishte reaguar Bislimi medias serbe ‘Tanjug’, pasiqë kjo e fundit kishte raportuar se pala kosovare refuzoi takimin.

Fillimisht, kryenegociatori i palës kosovare tha se Serbia u mundua të imponojë pika të rendit të ditës “të destinuara për konsum të brendshëm politik”.

Më 06.09.2024, Lajçak vizitoi Kosovën.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Lajçak deklaroi se është arritur pajtim për rundin e ri të dialogut mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq.

Kosova dhe Serbia para përballjes së re në nivel kryenegociatorësh, BE-ja konfirmon datën