Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Bislimi tregon se pse s'u arrit marrëveshja për targat

Zëvendëskryeminsitri i Kosovës, Besnik Bislimi, pas takimit me palën serbe dhe të dërguarin e BE-së për dialogun Serbi-Kosovë, Mirosllav Lajçak, ka deklaruar se marrëveshja për targat nuk është arritur për shkak se pala serbe nuk i është përmbajtur marrëveshjes të sjellë një propozim.

Sipas Bislimit, pala kosovare e ka zgjedhur propozimin qysh në takimin e parë.

“Për arsyet se nuk ka pasur propozim nga grupet punuese, meqë pala serbe nuk i është përmbajtur marrëveshjes së palëve. Bashkimi Evropian është dashur t’u ofrojë palëve opsionet e mundshme që përfaqësojnë një zgjidhje permanente dhe opsione që janë në harmoni me politikat më të mira të BE-së. Pala jonë që në takimin e parë e ka zgjidh preferencën e vet kurse pala serbe ka refuzuar ta caktojë preferencën e tyre. Nëse do të kishim pasur preferenca të njëjta kjo do të zgjidhje, nëse do të kishin qenë të ndryshme do të ishte detyrë e jona t’i përafronim qëndrimet”, është shprehur Bislimi.

Bislimi: Takimi trepalësh është shtyrë për shkak se Petkoviq ka kërkuar që të diskutohet Asociacioni

Dje ka dështuar arritja e marrëveshjes për targat ndonëse ka qenë dita e fundit kur ka mundur të arrihej.

Grupet e negociatorëve janë takuar disa herë në Bruksel gjatë këtyre gjashtë muajve që nga arritja e një marrëveshjeje të përkohshme por duket që nuk kanë bërë shumë progres.

Në fund të shtatorit 2021, për të ndaluar bllokadën 13 ditore në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, të organizuar nga qytetarët serbë të veriut të Kosovës dhe të mbështetur nga Beogradi, u arrit një marrëveshje e përkohshme.

Në bazë të kësaj marrëveshjeje simbolet shtetërore të të dy shteteve janë mbuluar në targat e veturave që nga 4 tetori 2021.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur në vitin 2011.