Foto: Mirosllav Lajçak / Twitter

Bislimi thotë se Serbia refuzoi takimin trepalësh, fton Lajçakun të reagojë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka thënë se Serbia e ka refuzuar takimin në nivel kryenegociatorësh të planifikuar më 17 shtator, sipas rendit të ditës të përcaktuar nga ndërmjetësi i Bashkimit Europian, Miroslav Lajçak.

Përmes një postimi në rrjetin social ‘X’, ai  i ka reaguar mediumit serb “Tanjug” se pala kosovare refuzoi takimin, duke thënë se nga Kosova u pranua rendi i ditës.

Kryenegociatori i palës kosovare tha se Serbia u mundua të imponojë pika të rendit të ditës “të destinuara për konsum të brendshëm politik”.

Ftoj ndërmjetësuesin Lajçak të mohojë dezinformimin e qëllimshëm nga mediat serbe më poshtë, ku thuhet në mënyrë të rreme se Kosova ka refuzuar takimin trepalësh të kryenegociatorëve– ka shkruar Bislimi të premten, më 13.09.2024.

Para pak ditësh, më 06.09.2024, Lajçak vizitoi Kosovën.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Lajçak deklaroi se është arritur pajtim për rundin e ri të dialogut mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq.

Pas katër ditës, Lajçak vizitoi edhe Serbinë “për përgatitjen për takimin e ardhshëm në nivel të kryenegociatorëve”.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, pas takimit në Bruksel, më 02.07.2024, pati deklaruar se pala serbe dëshiron vetëm zbatimin e pjesshëm të Marrëveshjes bazë – të ecet përpara me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Para gazetarëve, ai pati thënë se tri temat që kanë dominuar në atë takim kanë qenë formalizimi i marrëveshjes dhe finalizimi i planit të sekuencimit, zbatimi i marrëveshjes së energjisë dhe çështja e personave të zhdukur me dhunë në luftë në Kosovë.