Bislimi takon zëvendëspresidenten e Bankës Botërore për Europën dhe Azinë Qendrore
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është takuar me zëvendëspresidenten e Bankës Botërore për Europën dhe Azinë Qendrore, Antonella Bassani.
Zyra e Kryeministrit bën të ditur se gjatë këtij takimi u diskutuan një sërë temash të fushës ekonomike, fiskale dhe sektorale.
Sipas ZKM-së, zëvendëspresidentja Bassani vlerësoi lart bashkëpunimin me Kosovën dhe arritjet në vitet e fundit.
“Të dy palët theksuan se Kosova gjatë këtyre viteve ka pasur zhvillime shumë të mira, duke udhëhequr me reforma dhe rritje ekonomike në rajon. Në takim u diskutua gjithashtu për zbatimin e projekteve zhvillimore të financuara nga Banka Botërore dhe atyre që janë në proces aprovimi. Bassani shprehu keqardhje për sulmin ndaj Kosovës në kanalin e Ibër Lepencit, duke theksuar se Banka Botërore është e përkushtuar për të ndihmuar në sanimin e dëmeve”- thuhet në njoftimin e ZKM-së.
Po sipas ZKM-së, Bislimi e falënderoi Bankën Botërore për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm me Kosovën.