Bislimi takon Sarrazinin, kërkon që Kosovës t’i hiqen masat sa më parë

Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi ka kërkuar që masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës duhet të hiqen sa më parë. Këtë kërkesë, ai e ripërsëriti gjatë takimit me emisarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, më 28.02.2024.

Përmes një komunikate për media të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit njoftohet se gjatë këtij takimi palët kanë diskutuan mbi situatën në vend e rajon dhe mbi zhvillimet e fundit politike.

“Një prej temave të adresuara ishte edhe masat ndëshkuese ndaj Kosovës, ku zëvendëskryeministri Bislimi theksoi se ato vijojnë të jenë të padrejta dhe se duhet të hiqen sa më parë”, thuhet në komunikatë.

Bislimi e ka falënderoi emisarin Sarrazin për përkushtimin, angazhimin e tij të vazhdueshëm e intensiv dhe për këtë vizitë të radhës në vendin tonë, duke konfirmuar se “Republika e Kosovës e çmon dhe vlerëson lart partneritetin, bashkëpunimin dhe miqësinë e ngushtë me Gjermaninë”.

Sarrazin, një ditë më parë ka takuar ndaras kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Këto takime kanë ndodhur pikërisht në ditën kur në Bruksel ishin ftuar palët nga Kosova dhe Serbia për të biseduar për çështjen e dinarit.

Pala kosovare në këtë takim është përfaqësuar nga guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismail, i cili mohoi të kenë folur për Rregulloren e BQK-së.

I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak deklaroi se shumë pikëpyetje politike për çështjen e dinarit serb në Kosovë kanë mbetur pa përgjigje, kështu që “duhen takime shtesë”.

Rregullorja e BQK-së e cila e përcakton euron si valutën e vetme për kryerjen e pagesave ka hyrë në fuqi më 01.02.2024. Por, hyrja në fuqi e saj ka nxitur reagime të shumta nga qytetarë serbë në Kosovë dhe nga faktorë ndërkombëtarë.