
Bislimi: Sukseset e qeverisë në sundimin e ligjit, avancuan procesin e liberalizimit të vizave
Zëvendëskryeministri i Kosovës për Dialog, Besnik Bislimi ka komentuar miratimin e tekstit mbi liberalizimin e vizave nga ambasadorët e BE-së, duke e quajtur si një hap shumë të rëndësishëm.
“Një hap tutje, tejet i rëndësishëm, që do të pasohet me aprovimin formal të rregullores mbi heqjen e vizave nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së” – ka shkruar Bislimi.
Sipas tij, sukseset në sundimin e ligjit nga qeveria e Kosovës kanë ndikuar në avancimin e procesit të liberalizimit të vizave.
“Jemi drejt përfundimit të suksesshëm të këtij procesi të tejzgjatur për qytetarët e Republikës së Kosovës. Sukseset e arritura nga Qeveria veçanërisht në sundim të ligjit, puna jonë e vazhdueshme me shtetet anëtare dhe mbështetja e partnerëve tanë strategjikë, ishin faktorë kryesorë në avancimin e këtij procesi që ishte bllokuar për vite me rradhë”, ka theksuar ai.
Sipas Bislimit, me finalizimin e liberalizimit të vizave, Kosova do të jetë një hap më afër BE-së e proceseve të integrimit evropian.
Ambasadorët e Bashkimit Evropian kanë miratuar tekstin e kompromisit për liberalizimin e vizave për Kosovën. Presidenca çeke e Këshillit të BE-së bëri të ditur përmes rrjetit Twitter se ky veprim sjell Kosovën një hap më afër në rrugëtimin evropian.
“Ambasadorët e BE-së miratuan tekstin e kompromisit për liberalizimin e vizave për Kosovën përpara miratimit përfundimtar nga Këshilli i BE-së. Presidenca çeke e Këshillit Evropian e çon Kosovën një hap më tej në rrugën e saj evropiane”- thuhet në njoftim.
Ambasadorët e BE-së miratojnë liberalizimin e vizave për Kosovën