Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, Foto: ZKM

Bislimi reagon pas deklaratës së kryeministrit serb se Serbia nuk e ka pranuar planin franko-gjerman

Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, në seancën e Parlamentit të Serbisë, ka thënë se Republika e Serbisë nuk e ka pranuar planin franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri serb tutje ka thënë se është e papranueshme për Serbinë pranimi i pavarësisë së Kosovës.

“Edhe një herë, ne nuk e kemi pranuar planin franko-gjerman. Ne s’e kemi nënshkruar këtë edhe kemi vendosur deklaratë të qartë dhe e kemi thënë qartë: çdo implikim, implicit ose eksplicit i njohjes së të ashtuquajturës pavarësi e Kosovës është e papranueshme. Është vijë e kuqe për Serbinë. A mund të flasim? Do të flasim. Ne po përdorim çdo hapësirë manovrimi për ta përdorur në mënyrë që shtetin të mos na e varrosin për të disatën herë në historinë e kohërave të fundit, të mos na ndjekin, të mos na dënojnë, të mos na sanksionojnë”- ka thënë Vuçeviq.

Ndaj fjalimit të kryeministrit serb ka reaguar zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili përmes një postimi në rrjetin social “X”, ka shtruar disa pyetje për Përfaqësuesin Special të Bashkimit Europian për dialogun, Mirosllav Lajçak dhe përfaqësuesin e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell.

“Çfarë nevojitet më shumë për t’iu bindur se për Serbinë nuk ka Marrëveshje Bazike? Që pjesëmarrja e tyre në dialog është fallco vetëm për të evituar sanksione eventuale? Edhe sa drafte të planit të sekuencimit na nevojiten derisa t’iu shfaqet e vërteta shteteve anëtare?”- ka pyetur ai.