Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Bislimi: Raporti i Progresit dëshmon se po ecim me hapa të shpejtë drejt rritjes ekonomike
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka thënë se Raporti i Progresit vitit 2024 për Kosovën, dëshmon rritjen ekonomike dhe progresin e Kosovës dhe se sipas tij, ky raport “rikonfirmon zhvillimin ekonomik”.
“Në kapitullin 2.3 të raportit ku flitet për zhvillimin ekonomik dhe konkurrueshmërinë, theksohet rritja ekonomike, rritja e punësimit, rritja e të hyrave buxhetore, rritja e investimeve të huaja direkte, ulja e papunësisë, forcimi i stabilitetit makroekonomik, përmirësimi i raportit eksport-import, ulja e inflacionit, ulja e borxhit publik, zvogëlimi i informalitetit”- ka shkruar Bislimi, të shtunën më 02.11.2024.
Bislimi thotë se në raportin e hartuar nga Komisioni Europian, përmendet mbështetja e Qeverisë ndaj qytetarëve dhe politikat gjithëpërfshirëse, veçanërisht në subvencionimin e faturave të energjisë elektrike për rreth 200 mijë amvisëri, derisa sipas Bislimit Kosova përgëzohet për konsolidim fiskal, përmirësimin e ambientit të të bërit biznes dhe zgjerimin e sektorit bankar.
“Blloku i kritereve ekonomike është një prej më kryesoreve të procesit të integrimit europian, dhe Kosova po tregon se po ecën me hapa të shpejtë drejt rritjes ekonomike dhe përafrimit me Bashkimin Europian”- ka shtuar Bislimi.
Tutje zëvendëskryeministri shkruan se ka ende shumë punë për të bërë, por se gjatë qeverisjes së tyre thotë se janë duke dëshmuar maturi në dizajnimin e politikave ekonomike dhe në drejtimin e vendit.