Bislimi: Raporti i Komisionit Evropian për 2022 është ndër më të mirët për Kosovën

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2022 është ndër më të mirët ndonjëherë për Kosovën dhe ndër më të mirët në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ai ka thënë se Raporti për vendin fillon me theksimin e stabilitetit politik dhe se Qeveria është gjetur e përgatitur për të përballuar më së miri situatat të cilat kanë ardhur si ndikim nga jashtë.

“Raporti tregon edhe se Qeveria ka patur qasje të mirë dhe ka treguar maturitet fiskal në këto periudha, për t’i rezistuar masave populiste, ku raporti i Komisionit Evropian evidenton si shembull rastin e tërheqjes së Trustit” – ka thënë Bislimi.

Ai ka thënë se për herë të parë Raporti për vendin është konservativ për ndërhyrjet politike.

“Nuk ka vlerësim ku thuhet që ka ndërhyrje apo vullnet për ndërhyrje politike në institucionet publike”- ka shtuar ai.

Ai tutje ka thënë se në një vit, Qeveria u ka dhënë zgjidhje problemeve që kanë ekzistuar për vite me radhë dhe që kanë qenë kërkesa të Bashkimi Evropian.

“Terminali doganor, Ligji per financimin e partive politike, racionalizimi i agjencive, janë vetëm disa prej shembujve të shumtë. Gjithashtu, përveç hartimit të strategjive, është vlerësuar puna në kriteret ekonomike si rimëkëmbja, formalizimi i vendeve të punës si dhe ulja e deficitit” – ka shtuar tutje Bislimi.

Ndërsa, sipas tij te sundimi i ligjit, në rrugëtimin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian, luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet të jenë fusha kyçe ku vlerësohemi për maturitetin evropian.

Bislimi këto i ka thënë në kuadër të diskutimit në tryezën “Agjenda Evropiane 2022”, të mbajtur sot.