Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Bislimi: Qeveria do të punojë me përkushtim gjatë procesit për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, ka hapur mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, ku njoftoi se kryeministri i Kosovës Albin Kurti është duke zhvilluar takime në ShBA.

Sipas tij SHBA-të përbëjnë ekonominë më të madhe në botë dhe se Kosova duhet të ketë bashkëpunim me ta.

Bislimi ka përmendur edhe aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Qytetarët do të kenë instancë evropiane për t’i adresuar çështjet e tyre. Dorëzimi i aplikacionit ka qenë hapi i parë në një momentum shumë pozitiv dhe të koordinuar me miq dhe partner të Kosovës”, tha ai.

Bislimi shtoi se Qeveria do të vazhdojë të punojë me përkushtim për gjatë gjithë procesit.

“Besojmë fuqishëm që të gjitha vendet anëtare të Këshillit të Evropës të cilat veç e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran i gëzohen avancimit tonë në rrugëtimin drejt vlerave standardeve dhe mekanizmave integrues dhe do e mbështesin këtë integrim”, tha ai.

Bislimi shtoi se edhe shtetet që nuk e kanë njohur në rrafshin bilateral Kosovën nuk do ta pengojnë rrugëtimin e Kosovës.

“Besojmë se edhe vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën në rrafshin bilateral por e kanë mbështetur nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në BE do të dëshmojnë se nuk kanë asnjë interes në pengimin e këtij rrugëtimi të shtetit tonë”, tha ai.

Bislimi ka ftuar kabinetin qeveritar për një minutë heshtje me rastin e  vdekjes së inxhinierit të KOSTT Skënder Gjonbalaj.

“Në emër të Qeverisë, me rastin e vdekjes së   inxhinierit të KOSTT, Skender Gjonbalaj të shprehim ngushëllime familjes së tij. Në shenjë të ndermit për punën e Gjonbalaj ju ftoj për një minutë heshtje”, tha ai.

Javën e kaluar, Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës.