Patrullimi i KFOR-it mbi Urën e Ibrit, Mitrovicë e Veriut më 14.08.2024. Foto: Florinda Kelmendi/KALLXO.com
Bislimi: Qeveria beson se BE-ja promovon më shumë liri të lëvizjes dhe më pak mure ndërmjet etnive
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka reaguar në lidhje me Urën e Ibrit, duke thënë se hapja e saj për qarkullim të automjeteve nuk është vendim i njëanshëm i Qeverisë së Kosovës, por është kërkesa kryesore e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë e ndërmjetësuar nga BE-ja në vitet 2015 dhe 2016.
“Për më tepër, plani implementues i BE-së i datës 5 gusht 2016, e konsideron hapjen e urës si “Simbol i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet serbëve të Kosovës, shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera”- ka shkruar Bislimi në Facebook më 14.08.2024.
Ai ka theksuar se edhe në raportin për vendin të vitit 2020, Komisioni Europian për Kosovën ka nxjerrë si konkluzion se punimet në urën e Mitrovicës kanë përfunduar dhe se ura duhet të hapet për qarkullim të automjeteve pa vonesa dhe pengesa të tjera.
“Ky është formulimi i BE-së, por marrëveshja është arritur mes Kosovës dhe Serbisë. Në vizitën e fundit të emisarit Lajçak në Kosovë më 19 qershor, gjatë takimit që e patëm, mbi urën e Ibrit ai deklaroi se nëse Kosova nuk preferon ta diskutojë përsëri këtë çështje në Bruksel, rekomandimi i tij ishte që diskutime të brendshme me serbët lokal në veri të zhvillohen, për të adresuar implikimet e mundshme të sigurisë dhe shqetësimet e tyre lidhur me çështjen”- ka shkruar Bislimi.
I njëjti thotë edhe se një nga partnerët e QUINT-it kishte kërkuar edhe inspektime teknike.
“Ne i kemi ndjekur të dyja këto rekomandime. Tani BE-ja po kërcënon Kosovën, në rast se ajo zbaton vetë marrëveshjen e ndërmjetësuar nga BE dhe rekomandimet shtesë”- ka shkruar Bislimi.
Në fund të postimit, ai ka theksuar se ‘Qeveria e Republikës së Kosovës beson fuqishëm se BE-ja promovon më shumë liri të lëvizjes dhe më pak kufij apo mure ndërmjet etnive’.
Ndërkohë, në mbledhjen e Qeverisë të mbajtur sot, kryeministri Albin Kurti ka thënë se hapja e Urës së Ibrit nuk është kundër askujt e aq më pak kundër partnerëve ndërkombëtarë për cka edhe shtoi se janë duke vazhduar koordinimin për këtë cështe.
Ai përmendi edhe takimin të cilin e ka pasur me Komandantin e KFOR-it, Ozkan Ulutash më 13.08.2024.
“Me komandantin Ulutash diskutuam edhe për hapjen e urës kryesore në Ibër në Mitrovicë të cilën ne e konsiderojmë si një gjë të drejtë, të nevojshme dhe të dobishme për të gjithë”- tha Kurti.
Ai shtoi se kanë marrë raportet dhe kanë mirëpritur vlerësimin e qëndrueshmërisë.
“I kemi mirëpritur raportet preliminare të vlerësimit të qendrueshmërisë së urës, rezultatet përkatëse të këtyre raporteve të cilat i kemi ndarë menjëherë me komandantin e KFOR-it, Gjeneralin Ulutash dhe ekipin e tij në frymën e konsultimeve dhe koordinimit të vazhdueshëm që kemi. Qeveria e Kosovës dhe unë si kryeministër besojmë thellësisht se liria e lëvizsjes dhe sundimi i ligjit në njërën anë si dhe paqja e siguria në anën tjetër janë të mundura bashkë dhe të duhura për vendin, shoqerinë dhe shtetin, qytetarët dhe komunitetet”- shtoi ai.
Në anën tjetër, Kurti theksoi se do të vazhdojnë konsultimet dhe koordinimet me partnerët.
“Hapja e urës nuk është kundër askujt e aq më pak ndaj partnerëve tanë. Kosova është shtet normal dhe urat e saj duhet të jenë normale që do të thotë të hapura”- tha Kurti.
Ministria e Infrastrukturës në orët e mbrëmjes së 13.07.2024, ka publikuar raportin që vë në pah nëse Ura e Ibrit është mjaftueshëm stabile për qarkullimin e veturave – gjë që u hap rrugë autoriteteve kosovare që ta hapin urën, ashtu siç po mëtojnë javët e fundit.
Raporti është përpiluar nga kompania “IPE-PROING”, e cila ka bërë matjet dhe testimet me mauna mbi Urë, gjatë javës së kaluar.
Zëvendësministri Hysen Durmishi ka thënë se raporti ka vënë në pah se Ura mbi lumin Ibër është stabile, e qëndrueshme dhe funksionale.
“Raporti konkludon qartë se struktura e urës mbi lumin Ibër është stabile dhe funksionale dhe si e tillë mund të përdoret për shfrytëzim pa asnjë kufizim në ngarkesë”- ka njoftuar Durmishi përmes profilit të tij në Facebook.
Durmishi ka thënë se raporti që kanë pranuar sot është preliminar dhe tij do të presin edhe atë final për të pasur edhe rezultatet përfundimtare mbi funksionalitetin e Urës së Ibrit sa i përket aspektit teknik.
Çështja e hapjes së Urës së Ibrit po pritet me diskutime, krahëhapur në njërën anë dhe kundërshti nga ana tjetër.
Bashkimi Europian ka planifikuar që ta vendosë “statusin” e Urës së Ibrit në agjendën e takimit të ardhshëm në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Në anën tjetër vetëm pak orë pas këtij njoftimi, KFOR rreth orës 22:41 ka dërguar një njoftim për media në të cilin ka thënë se është thelbësore që të gjitha palët të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet e njëanshme që mund të krijojnë tensione, si çelës për siguri e qëndrueshmëri në Kosovë e stabilitet në rajon.
Në njoftim nuk përmendet, takimi (13.08.2024) i komandantit të KFOR-it, Ozkan Ulutash me kryeministrin Albin Kurti, të cilët folën pikërisht për këtë temë.
“KFOR-i gjithashtu mban një prani fikse në urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë dhe kryen patrullime të rregullta në zonat përreth. Rikonfirmojmë se çdo vendim në lidhje me urën mbi lumin Ibër duhet të merret përmes dialogut politik dhe në mënyrë të koordinuar. Në këtë drejtim, ne vazhdojmë të mbështesim plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës” – thuhet në komunikatë.
KFOR është siguruar që të tregoj se janë të gatshëm që për cdo rast të veprojnë si përgjigje të cdo zhvillimi i cili mund të prek aspektin e sigurisë.
“Ne kemi një prani të dukshme dhe fleksibël në mbarë Kosovën dhe komandanti i KFOR-it ka autoritetin për ta përshtatur atë sipas nevojës dhe nuk do të hezitojë të veprojë në përgjigje të çdo zhvillimi relevant të sigurisë dhe në përputhje me mandatin tonë të OKB-së” – thuhet ndër të tjera.