Foto: KALLXO.com

Bislimi: Që nga viti 1999, shkalla e papunësisë në Kosovë kurrë nuk ka qenë më e ulët se 24.5%

Ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, përmes një publikimi në Facebook ka thënë se shkalla e papunësisë nuk ka qenë asnjëherë me përqindje kaq të ulët sa është tash.

Bislimi thotë se e gjithë kjo është meritë e Pakos Emergjente të Qeverisë për shkak se ndryshimi mes të regjistruarve të rinj dhe atyre që kanë humbur vendin e punës bënë që numri i të papunëve brenda vetëm një muaji të ulet për 6.6%.

Po ashtu, tutje Bislimi thotë se punëmarrësit kanë regjistruar 9.946 punëtorë të rinj.

“Deri më tani në aplikimet e tyre për masën 3, 8 dhe 14 të pakos emergjente të Qeverisë së Republikë së Kosovës, ndërmarrjet e vendit kanë regjistruar gjithsej 9.946 punëtorë të rinj, ndërsa kanë lajmëruar se kanë larguar nga puna 1268 punëmarrës. Sipas statistikave zyrtare në fund të vitit që lamë pas, 130.289 individë kanë qenë të regjistruar si të papunë, dhe shkalla zyrtare e papunësisë ka qenë 25.9%. Ndryshimi mes të regjistruarve të rinj dhe atyre që kanë humbur vendin e punës bënë që numri i të papunëve brenda vetëm një muaji të ulet për 6.6% që përbën uljen më të madhe në 20 vitet e fundit. Kjo, nëse merret si ndryshimi i vetëm në këtë periudhë nënkupton që shkalla e papunësisë zyrtare (ende e nënvlerësuar) do të binte në nivelin e 24.1%. Që nga viti 1999, shkalla e papunësisë në Kosovë kurrë nuk ka qenë më e ulët se 24.5%”, shkruan Bislimi.