Foto: ZKM
Bislimi pret në takim shefen e re të zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Veronika Vashchenko
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka takuar sot, më 19.08.2024, shefen e re të zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Veronika Vashchenko.
Sipas njoftimit, Bislimi i uroi suksese e mirëseardhje në Kosovë Vashchenkos, duke shprehur dhe gatishmërinë e vullnetin për bashkëpunim sa më produktiv dhe efektiv.
Ata kanë biseduar për rëndësinë e gjithë-përfshirjes dhe shpërndarjes së barabartë të rritjes ekonomike drejt qytetarëve.
“Bislimi tha se Qeveria po mbështet maksimalisht objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm dhe po angazhohet në hartimin e politikave dhe skemave sa më të targetuara për grupe të ndryshme shoqërore”- thuhet e njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Ndërsa, Vashchenko tha se ndihet e lumtur për marrjen e detyrës dhe se tashmë po zhvillon raunde të vizitave me udhëheqës të institucioneve vendore.
Në njoftim thuhet se ajo e vlerësoi pozitivisht rëndësinë që Qeveria i ka dhënë arsimit në kuadër të Planit të Rritjes dhe shtoi se zyra e UNICEF-it qëndron në përkrahje të plotë dhe e gatshme të asistojë në iniciativat e Qeverisë.
Gjithashtu, përgëzoi Kosovën për zhvillimin së fundmi të procesit të regjistrimit të popullsisë.