
Foto: Zyra e Kryeministrit
Bislimi pret në takim ambasadorin italian, ripërsërit kërkesën për heqjen e masave ndaj Kosovës
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, është takuar me ambasadorin e Italisë në Kosovë, Antonello De Riu.
Bislimi nënvizoi dhe nevojën për heqjen e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, të cilat sipas tij, “vijojnë të jenë të padrejta e të mbeten në fuqi”.
Zyra e Kryeministrit njoftoi se Bislimi kërkoi që të hiqen masat ndaj Kosovës pasi që është dhënë konstatimi nga Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell në raportin e tij ku rekomandon që masat duhet të hiqen.
Ndëe të tjera, ZKM bëri të ditur se përgjatë takimit u bisedua mbi marrëdhëniet dypalëshe dhe mundësitë për thellimin e tyre.
“Integrimi evropian i Kosovës ishte gjithashtu në fokus të bisedës, ku zëvendëskryeministri theksoi angazhimin e vendit në kuadër të Planit të Rritjes, si dhe rëndësinë e ecjes përpara në hapa me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian”- shkruan ZKM.
Më 08.09.2024, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi se javëve të fundit janë njoftuar se disa shtete kanë kërkuar të mbeten në fuqi masat e Bashkimit Europian të vendosura ndaj Kosovës në vitin 2023.
Megjithatë, në emisionin “Kallxo Përnime”, ajo theksoi se Gjermania është pro heqjes së masave.
Osmani nuk ka pranuar të përmendë këto shtete duke thënë se për shkak të diskrecionit diplomatik është më mirë të mos përmenden.
Masat ndaj Kosovës ishin vendosur në qershor 2023 si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës, kur kryetarët e rinj nisën punën e tyre në komunat në veri, pas zgjedhjeve që u bojkotuan nga serbët lokalë.
Në Bashkimin Europian nuk ka pajtim të plotë për heqjen e masave ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës.
Qeveria e Kosovës ka insistuar disa herë se ajo i ka përmbushur kërkesat dhe se situata në veri të Kosovës është shtensionuar.
Ndër masat e BE-së janë suspendimi i përkohësisht i punës së trupave të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.