Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Bislimi për marrëveshjen për energjinë: Ka mospërmbushje të obligimeve nga “Elektrosever”

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, ka pranuar se ka mospërmbushje të obligimeve nga kompania serbe “Elektrosever”, në marrëveshjen me KOSTT-in në kuadër të udhërrëfyesit për energjinë.

Bislimi ka thënë se deri më tani ka pasur lëvizje vetëm në obligimet që i ka marrë Zyra e Rregullatorit të Energjisë së Kosovës.

“Ka marrëveshje të pazbatuara, një ndër to është edhe marrëveshja për energjinë. Deri më tani ka pasur lëvizje vetëm në obligimet që i ka marrë ZRrE, por pikat e tjera nuk janë përmbushur. Ne i kemi dërguar një letër BE-së se ka kaluar afati dhe tani mund të rrjedhë afati shtese dhe kjo nënkupton që mund të ketë edhe pasoja për licencën” – tha ai para deputetëve të Kuvendit të Kosovës gjatë raportimit.

Tutje Bislimi pas mbledhjes së komisionit ka thënë se këto do të qartësohen brenda dhjetë ditëve.

“Ajo që ne dimë është se ka mospërmbushje të obligimeve nga Elektroseveri dhe ka edhe hezitime nga ana e KEDS-it, kështu që të gjitha këto do të qartësohen brenda dhjetë ditëve të ardhshme” – ka thënë ai.

Kompania serbe ‘Elektrosever’ ka nënshkruar dy marrëveshje me Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë (KOSTT), në kuadër të udhërrëfyesit për energjinë, të dakorduar mes Kosovës dhe Serbisë, në Bruksel, më 21 qershor.

Nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve është paraparë në pikën 3 të udhërrëfyesit 100-ditor, i cili do të shërbejë për zbatimin e Marrëveshjes për energjinë, të nënshkruar që nga viti 2013.

KALLXO.com muajin e kaluar ka siguruar marrëveshjen për aderim në rregullat e tregut si dhe marrëveshjen mbi detyrimet e balancimit, mirëpo në të dy këto marrëveshje kompania në fjalë ka larguar mbishkrimin ‘Republic of Kosovo’ duke paraqitur Kosovën me fusnotë – Kosovo*.

Sabri Musiqi, u.d. drejtor i KOSTT-it, në një intervistë në emisionin ‘Kallxo Përnime’ ka thënë se ‘Elektrosever’ ka ndërhyrë në përmbajtjen e Marrëveshjes.

“Këto dy marrëveshje asnjërën nuk i kemi realizuar për shkak se ‘Elektrosever’ ka ndërhyrë në përmbajtjen e marrëveshjes për aderim të rregullave të tregut. Është një përmbajtje standarde e cila aplikohet për të gjitha palët që duan të aderojnë ” – tha ai.

Të pyetur nëse do t’i pranojnë marrëveshjet me fusnotë, Zyra e Kryeministrit Albin Kurti dhe Zyra e zëvendëskryeministrit për dialog, Besnik Bislimit, nuk kanë dhënë përgjigje.

Përgjigje për këtë çështje nuk ka ofruar as Bashkimi Evropian, i cili është garantues për zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

Dokument: Kjo është arsyeja e bllokimit të Marrëveshjes për energji