Bislimi pas takimit me Lajçakun: Plani i BE-së u kushton më shumë vëmendje kërkesave të Serbisë

Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, ka dhënë detaje pas takimit që ka zhvilluar sot në Bruksel me emisarin e Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak.

Bislimi tha se janë diskutuar katër tema.

Ai tha se plani i BE-së që u është dërguar palëve është selektiv dhe u kushton vëmendje kërkesave dhe preferencave të Serbisë.

“Tema e parë është plani i sekuencimit. Ne kemi brenga me draftet e deritanishme që Lajçak u ka dërguar palëve tona. Ne mendojmë që ai plan është selektiv dhe u kushton më shumë vëmendje kërkesave dhe preferencave të Serbisë dhe nuk garanton zbatim të plotë të marrëveshjes. Ne kemi tentuar që në një takim trilateral me palën serbe të vendosim të gjitha obligimet që palët marrin nga marrëveshja bazike në një plan të detajuar të sekuencimit, nuk kemi arritur ta përfundojmë këtë mision, por kemi përmirësim”- ka thënë ai për mediat.

Ai shtoi se Bashkimit Evropian ia kanë listuar të gjitha obligimet që bien mbi palën serbe.

“Ne ia kemi listuar dhe dhënë me shkrim BE-së të gjitha kërkesat tona që mendojmë që duhet të bijnë mbi palën serbe dhe duhet të konkretizohen dhe tash presim hapat e radhës”- tha ai.

Bislimi ka thënë në Bruksel se ndërmjetësuesi i këtij procesi, Mirosllav Lajçak, ka vendosur që të mos kishte takim trepalësh në këtë fazë.

“Ka qenë si duket qëndrim i Lajçakut që në këtë moment, takimi trepalësh jo domosdo do të kontribuonte në finalizimin e dokumenteve, sepse mendon që ka ende nevojë për koordinim shtesë para se kjo të ndodhë, madje edhe ka ide që plani i sekuencimit [të Marrëveshjes Bazë] kërkon takim të nivelit të lartë”- tha ai.

Bislimi ka thënë se me Lajçakun ka diskutuar për katër tema: plani i sekuencimit të Marrëveshjes bazë, termat e referencës për monitorimin e Marrëveshjes bazë, termat e referencës për zbatimin e Deklaratës për personat e pagjetur, dhe për Marrëveshjen për energjinë.

“Kemi diskutuar edhe termat e referencës për komitetin e përbashkët për zbatimin e marrëveshjes bazë. Komentet tona kanë të bëjnë kryesisht me nevojën që komiteti të mbetet brenda kornizave të marrëveshjes bazike që merret me monitorimin e zbatimit të marrëveshjes dhe nuk ka kompetenca ekzekutive. Mendoj që kemi hasur këtu në gjuhë të përbashkët”- ka thënë ai.

Bislimi ka shtuar se tema e katërt e diskutuar është tema e energjisë.

Takim i sotem vjen pas dakordimit të javës së kaluar të cilin e arriti zëvendëskryeministri Bislimi me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi Mirosllav Lajçak në Bratisllavë të Sllovakisë për shtendosjen e situatës në veri të Kosovës.

Dakordimi nënkupton zvogëlimin e menjëhershëm të prezencës së Policisë brenda dhe përreth ndërtesave komunale, vlerësimin e vazhdueshëm të gjendjes për zvogëlim të mëtejmë të kësaj prezence, nxitje të zgjedhjeve të parakohshme lokale si dhe vendosjen e bazës së nevojshme ligjore.

Tensionet në veri të Kosovës nisën më 26 maj 2023, kur kryetarët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, hynë në ndërtesat komunale me asistimin e Policisë. Për të kundërshtuar këtë, qytetarët e komunitetit serb kanë mbajtur protesta.

Më 29 maj, nga përplasja e protestuesve me pjesëtarët e KFOR-it kanë mbetur të lënduar dhe plagosur 30 pjesëtarë të KFOR-it.

BE dhe SHBA kanë kërkuar shtendosje të situatës, tërheqje të Policisë së Kosovës nga objektet komunale si dhe zgjedhje të reja në komunat veriore.