Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Bislimi pas marrëveshjes: Tashmë komunat veriore do të faturohen sipas ligjeve të Kosovës

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës dhe kryenegociatori i palës kosovare, Besnik Bislimi ka thënë se me arritjen e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, komunat në veri të vendit do të faturohen sipas legjislacionit të vendit tonë.

Sot, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për zbatimin e marrëveshjeve për energjinë në veri të vendit.

“Më në fund kemi miratuar udhërrëfyesin e implementimit për marrëveshjet për energjinë të vitit 2013 dhe 2015. Kjo mundëson faturimin e energjisë elektrike në 4 komunat veriore të Kosovës, sipas ligjeve dhe sistemit rregullativ të Kosovës”, tha Besnik Bisilimi në Twitter.

Në anën tjetër, për këtë marrëveshje reagoi edhe i dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë Serbi, Miroslav Lajçak.

“Kam kënaqësinë të njoftoj se Kosova dhe Serbia sapo kanë miratuar Udhërrëfyesin e zbatimit të marrëveshjeve për energjinë, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ky është një hap i madh përpara”, ka shkruar Lajçak në Twitter.

Arrihet marrëveshja për zbatim të marrëveshjes për energjinë

www.kallxo.com