Bislimi para deputetëve tregon se takimi i radhës Kosovë - Serbi do mbahet më 16 nëntor

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog Besnik Bislimi, gjatë raportimi në Komisionin për Integrim Evropian, ka dhënë sqarime rreth raportit të progresit të Komisionit Evropian për vendin për tetor 2020 – tetor 2021.

Sipas tij, Qeveria e ka marrë me seriozitet procesin e integrimit evropian.

Bislimi tha se ky raport flet për mungesë të shumicës parlamentare dhe sipas tij i referohet periudhës para marsit. Megjithatë tha se e kanë analizuar gjithë raportin.

Sipas zëvendëskryeministrit, raporti arrin në pjesën më të madhe ta paraqet me saktësi atë që ka ndodh në Kosovë në këtë periudhë.

Por Bislimi ka treguar një pjesë që nuk paraqitet me saktësi në raport.

“Raporti flet për mungesë të shumicës parlamentare dhe polarizim të madh politik. Natyrisht jo është e qartë se i referohet periudhës para marsit 2021 se pas kësaj periudhe nuk ka polarizim politik në Kuvend kemi shumicë të vazhdueshme kemi stabilitet politik institucional dhe legjitimitet të plotë të institucioneve. Qeveria Kurti 2 procesin e integrimit evropian qysh në start e kemi marr me prioritet të madh”, tha ai.

Bislimi shtoi se në fushën e sundimi të ligjit në raport thuhet se ka pasur progres të kufizuar, por Bislimi tregoi se për 200 ditë kanë marr më shumë se 320 vendime.

Bislimi tregoi se raporti ka objektiva për të skanuar situatën dhe tregon ku je.

Ai tha se është fakt që janë mbrapa në procesin e integrimeve evropiane.

“Kosova është në disa sfera mbrapa vendeve të rajonit. Por elementi i rëndësishëm i raportit është për ta tregu rrugën përpara”, tha Bislimi.

Bislimi tha se dy prej instrumenteve sociale që i ka filluar qeveria ka të bëjë me shtesat për fëmijë dhe pagesat për nënat lehona.

“Unë e kisha shtuar edhe përkushtimin tonë për edukimin parashkollor”, shtoi Bislimi.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës Blerta Deliu Kodra, ka kërkuar të dijë cila është qasja e qeverisë sa i përket  marrëveshjeve me Serbinë.

“Çështja e marrëveshjeve të cilave raporti iu referohet që të gjitha marrëveshjet mes Kosovës e Serbisë duhet të zbatohen. Cila do të jetë qasja e qeverisë”, tha ai.

Deliu Kodra përmendi edhe çështjen e vettingut, duke thënë se shihet me shqetësim mënyra e njëanshme që iu është qas qeveria këtij procesi.

Përgjigjja e Bislimiit ishte se Kosova nuk duhet të ngutet të zbatoj marrëveshje të dizajnuara ta dëmtojnë shtetin e Kosovës.

Sa i përket vettingut, ai tha se kjo është pikënisje edhe e Bashkimit Evropian.

“Vettingu nuk duhet të shmanget… Procesi i vetingut nuk është pjesë e reformave drejt BE”, tha ai.

Bislimi e ka konfirmuar edhe datën e takimit të dialogut.

“Takimi i radhës në Bruksel do mbahet më 16 nëntor të martën e ardhshme, ndërsa takimi i grupit teknik për targat mbahet të enjten më 18 nëntor”, tha Bislimi.

Pas këtij debati deputetja e PDK-së Blerta Deliu Kodra ka lëshuar mbledhjen e Komisionit, ndërsa kryetarja e komisionit Rrezarta Krasniqi, nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se nuk ka kuorum për të vazhduar me pikat e rendit të ditës.